Ferguson dështoi në transferimin e Guardiolës

Nga Express më 22 maj 2011 në ora 19:40
Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson ka bërë të ditur se dështoi në përpjekjet e tij për transferimin e Pep Guardiolës në verën e vitit 2001.
Djajtë e Kuq përveç titullit të kampionit në Premierligë, këtë sezon kanë mundësi ta përfundojnë edhe me trofeun e Ligës së Kampionëve, ku në finale do të takohen me Barcelonën e Guardiolës në Wembley, më 28 maj.
Ndërsa, Ferguson ka pranuar se u mundua ta transferojë Guardiolën gjatë karrierës së këtij të fundit si futbollist.
“Kam biseduar me menaxherin e tij kur ai u largua nga Barcelona dhe kaloi te Brescia. Ishim të interesuar për të, sepse ishte futbollist i mirë”, tha Ferguson për The Guardian.