E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për revanshin ndaj Kryeprokurores

Takimi i kreut të Prezencës së OSBE në Tiranë dy ditë më parë me Prokuroren e Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, si edhe deklarata publike e bërë pas këtij takimi nga Uollfarth përpara kamerave, se mandati i titullares aktuale të këtij institucioni kushtetues përfundon në maj të vitit 2013, sigurisht që ka ndikuar për të vazhduar të mbahet zgjuar interesi i të gjithë spektrit politik të vendit për këtë çështje. Sepse qëndrimi i maxhorancës qeverisëse dhe veçanërisht i liderit të saj ndaj Ina Ramës, prej kohësh ka vënë në pikëpyetje qëndrimin e saj në detyrë dhe zëvendësimin me një person të besuar të kësaj maxhorance.
Këtij qëndrimi revanshist iu bashkua në një farë mase edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili pa kaluar mirë as edhe një muaj nga nisja e ushtrimit të funksioneve të tij la të nënkuptohet gjatë një interviste të dhënë më 27 gusht, se Prokurorja e Përgjithshme do të hiqet, se organi i Prokurorisë nuk ka punuar mirë, ndonëse e anashkaloi përgjigjen e pyetjes se kur i përfundonte asaj mandati, për çka maxhoranca ka lënë si kohë nëntorin e ardhshëm. Në këtë rast, ashtu sikurse edhe me dekretimet e menjëhershme e të papritura për shkarkimin e kreut të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe emërimin në këtë post të një personi të kabinetit kryeministror dhe të përfolur gjerësisht sidomos për rrezikshmërinë e tij në zhvillimin e ngjarjeve të vitit 1997, Presidenti është treguar haptazi i njëanshëm, duke rënë publikisht në sintoni me maxhorancën që e zgjodhi vetëm me votat e saj, pa përmbushur kështu cilësinë themelore të kryetarit të Shtetit si “përfaqësues i unitetit të popullit”.
Sidoqoftë, pozicioni i Prokurorit të Përgjithshëm (së paku, nga pikëpamja kushtetuese) ndryshon disi prej atij të drejtorit të SHISH. Prandaj, jo rastësisht ambasadori Uollfarth theksoi dy ditë më parë, se: “Fakt është që mandati i Kryeprokurores është i kufizuar dhe jo i pakufizuar”. Pra, si qëndron puna? Ina Rama u emërua vërtet në nëntor të vitit 2007, domethënë 5 vjet më parë. Por, kufizimi pesëvjeçar i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm është sanksionuar me ndryshimet e disa dispozitave kushtetuese të 21 prillit 2008, amendime këto që hynë në fuqi 15 ditë pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare, domethënë në maj të po atij viti. Por Kuvendi, kur miratoi përcaktimin kohor në Kushtetutë të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, nuk i dha këtij mandati fuqi prapavepruese, as me ndonjë dispozitë kushtetuese kalimtare dhe as për të lënë të hapur një “shteg” që t’i referohej për këtë qëllim ndryshimit të mundshëm të ligjit organik të akuzës. Kështu, afati kalendarik i pretenduar prej maxhorancës, në këtë rast është i pasaktë, nuk i përputhet periudhës së caktuar kushtetutshmërisht. Dhe, jo vetëm kaq. Largimi së shpejti i Prokurores së Përgjithshme nga detyra nuk mund as të paragjykohet tani. Nuk mund të paragjykohet, sepse neni 149/1 i Kushtetutës shprehet: “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë riemërimi” (theksimi ynë). Pra, mbetet për t’u diskutuar, nëse ka apo jo të drejtë maxhoranca t’i propozojë Presidentit të Republikës shkarkimin e Ina Ramës. Mirëpo a mund të legjitimohet kjo?
Rrjedha e kësaj çështje, aq më tepër e përsëritur, nuk mund të mos implikojë rëndë maxhorancën qeverisëse dhe liderin e saj - Kryeministër i vendit, të cilët tregojnë edhe në këtë rast fare hapur që nuk kanë ndryshuar dhe nuk duan të ndryshojnë konceptin e praktikën e tyre për të nëpërkëmbur pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe për t’i vënë titullarët e tyre plotësisht në shërbim të interesave të veta partiake, duke shkelur publikisht një nga parimet bazë të funksionimit të demokracisë liberale, parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Sa për kujtesë të lexuesit, nuk kaloi shumë kohë që nga shkarkimi shumë i diskutueshëm i Theodhori Sollakut dhe u zëvendësua ai nga Ina Rama, për të cilën maxhoranca me gojën e liderit të saj u shpreh nëpërmjet termave superlative për cilësitë e kësaj të fundit. Gjithashtu, nuk kaloi shumë kohë që nga ky zëvendësim, dhe përsëri ishte maxhoranca, sidomos me gojën e liderit të saj, ajo që filloi të shfaqë pakënaqësi ndaj Kryeprokurores, çka u shoqërua me sulme të ashpra ndaj saj.
Por, për mosmarrëveshjet ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kuvendit, gjatë viteve të fundit ka disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, e cila më datë 20.05.2008 deklaronte se: “Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e Prokurorisë në çështjet konkrete”. Më herët, në vendimin e saj nr. 26, dt. 22.06. 2005, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar, se fakti që Kuvendi jep pëlqimin për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, sipas nenit 149/1, si edhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, sipas nenit 149/2, nuk do të thotë që ky funksionar i lartë është përgjegjës përpara Kuvendit. “Prokurori i Përgjithshëm - ka theksuar Gjykata - në kuptimin kushtetues nuk ka përgjegjësi politike para Kuvendit”, “mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar e vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete”. Më pas, në vitin 2008, Gjykata Kushtetuese ritheksonte në përmendje të një vendimi të saj të 2006–s që “Edhe detyrimi për të informuar Kuvendin nuk do të thotë se pavarësia e drejtuesit apo ajo e institucionit të drejtuar prej tij është e kufizuar”. Përkundrazi, në këtë vendim Gjykata theksonte gjithashtu që Prokurori i Përgjithshëm është drejtues jo politik i Prokurorisë, karakteristikë kjo që siguron pavarësinë profesionale të këtij organi.
Neni 149/2 i Kushtetutës parashikon vërtet, se “Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Prokurorit”. Mirëpo është shumë e vështirë të provohen këto shkelje, aq më tepër kur janë të njohura mbështetjet publikisht të vazhdueshme që i kanë bërë disa ambasadorë dhe personalitete të shteteve aleate, në radhë të parë ata të SHBA, institucionit të Prokurorisë sonë dhe sidomos kreut aktual të saj. Sa për fyerjet e fëlliqura që ka bërë Kryeministri Berisha në adresë të Ina Ramës, ato nuk përbëjnë argumente! Kurse, sa për atë “paaftësinë fizike” që përmend neni i mësipërm, me këtë përgojohet dendur Presidenti Nishani, po çne Ina Rama?!

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›