Bota e madhe dhe e vogël e shqiptarëve
Jemi të fiksuar aq shumë prej “patriotizmit”, saqë çdo gjë të këtij universi duam ta kemi ose ta kthejmë domosdo vetëm në markë shqiptare, duke ia bërë kështu vetes me sy, si raca më e fisshme mbi këtë dhè! Kjo ka bërë që t’i vërsulemi, thuajse me tërsëllimë, të gjithëve atyre që kujtojmë se i kemi kundër apo që mendojnë ndryshe nga ne! “Hë mo, se këta italianët vetëm gënjeshtarë dhe llafazanë janë”, - themi shpesh për ata që pritën me mijëra prej nesh sapo u shemb diktatura e na janë bërë strehë prej shekujsh, që nga koha e Skënderbeut, kur u gjendëm keq si komb. Vazhdojmë edhe me më shumë mllef për grekët, duke i futur të gjithë në një thes, si mashtrues e batakçinj. Për maqedonasit, pa emër shteti e duke i vënë në dukje mungesën e identitetit të tyre! Malazezët, po ashtu, i kemi në shënjestër, duke i quajtur njëlloj të këqij, si edhe serbët. Dhe, për ta mbyllur ciklin e përbuzjes dhe të nënvleftësimit ndaj fqinjëve tanë kufitarë, (që të mos përhapemi edhe më shumë nëpër botë, se anatemimi ynë ndaj të gjithëve do të ishte gati i këtij lloji, i pamëshirshëm !?), me vëllezërit e një gjaku - kosovarët, ndaj të cilëve gjithashtu nuk jemi aq zemërgjerë. Në ndeshjen e Kombëtares sonë në Zvicër të martën e shkuar të 11 shtatorit, datë që të kujton e të ngjeth mishtë për aktet e përbindshme terroriste që ende vazhdojnë, racës sonë iu shtua një tjetër epitet, edhe më i rëndë se të tjerët, duke i quajtur “tradhtarë”, pikërisht ata djem që kanë zgjedhur të luajnë futboll për vendin që i rriti dhe i formoi si njerëz e që në fakt, në të njëjtën kohë, janë kthyer në ambasadorë të emancipimit për vendin e tyre të origjinës!
Gjerdan Shaqiri, Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Granit e Taulant Xhaka, së bashku me Admir Mehmedin e ndonjë tjetër, kanë lindur ose jo në trevat tona, por që gjithsesi janë me prindër shqiptarë, na bëjnë që të emocionohemi dhe të ndjehemi krenarë për karrierën e tyre të suksesshme futbollistike nëpër botë. Të tjerë nga “gjaku ynë”, po kaq të shquar në fusha të ndryshme të jetës, si në shkencë, letërsi, kulturë dhe art, që janë shpërndarë nëpër botë për arsye nga më të ndryshmet, duhen parë gjithashtu si shenja të spikatura identiteti për kombin tonë, por jo të kalojmë në shfaqje ekstremiteti dhe qëndrime heretike ndaj tyre, vetëm se ata si njerëz të lirë të një bote demokratike kanë zgjedhur që të përfaqësojnë një vend tjetër, tek i cili kanë parë e shohin më mirë dhe konkretisht kushtet e shkëlqyera për realizimin e ëndrrave dhe të dëshirave që kanë në jetë. Ky “patriotizëm” i thekur i një grupi jo të vogël tifozësh fanatiko-folklorikë, i shoqëruar me sulme të gjithfarëllojshme e plot përbuzje ndaj njerëzve të gjakut tonë, atje në mes të Zvicrës, që i ka dhënë dinjitet këtyre djemve-futbollistë, por edhe mijëra e mijëra shqiptarëve të tjerë që kanë zgjedhur të jetojnë në atë vend, nuk ishte gjë tjetër në sytë e njerëzve që e përjetuan atë skenë, veçse një shëmbëlltyrë e më të keqes, që ne të racës sonë “më të fisshme” ia damkosim vetes herë pas here!
Pas asaj ndeshjeje të humbur, që po justifikohet prej disa gabimeve në mbrojtje, kur e gjithë loja e skuadrës sonë, në fakt, ishte një inferioritet në të gjitha drejtimet, duhet të dimë të dallojmë më parë të këqinjtë brenda nesh, të cilët e kanë kthyer futbollin në një mjet biznesi mafioz, dhe pastaj ata, “tradhtarët”, që gjithsesi na mëshiruan duke mos na shpartalluar edhe më keq, atje në stadiumin e Lucernës. Këtë duhet të shohin “patriotët” e stadiumeve tona, të vërtetën lakuriqe të këtij futbolli që kemi aktualisht e që po katandiset keq e më keq dhe ku fëmijët e talentuar, po aq sa edhe vëllezërit e tyre të një gjaku nëpër botë, po rreken më kot që të realizojnë ëndrrat për t’u bërë si Gjerdan Shaqiri me shokë. Ndërkohë që tek ne, edhe atëherë kur talenti del mbi xhunglën mbytëse që na ka pushtuar, vështirësi të tjera të shumta ia zënë edhe më keq frymën atij dhe nuk e lejojnë që të rritet më tej. Në këtë mjedis asfiksues, matrapazët-delenxhinj kujtohen të bredhin herë pas here jashtë kësaj botës sonë të vogël e mjerane, për të gjetur mall të gatshëm-qyl në botën e madhe e të papërlyer. Pa investuar asgjë, përkundrazi duke u përpjekur e spekuluar me ndjenjën e patriotizmit, këta dallkaukë, që vazhdojnë të majmen gjithnjë e më shumë, si shushunjëzat, kur shohin se jo gjithmonë ju shkon mbarë gjuetia e fëlliqur dhe fitimprurëse, nisin mallkimin ndaj atyre që pa të keq i quajnë “tradhtarë”, siç ndodhi të martën e shkuar në Zvicër, ndërkohë që disa media, paturpësisht, vazhdojnë t’u mbajnë ison e zakonshme!
(er.nu/GSH/BalkanWeb)