Për sa kohë do të dal në pension, RTSH sjell informacion për të interesuarit

E kam mbushur apo jo moshën e pensionit? Kur duhet të dal në pension dhe sa vite pune duhet të kem realizuar për të përfituar pensionin e pleqërisë? Pyetje të tilla janë të shumta dhe të ato përsëriten sidomos në fillim vite. Televizioni Shqiptar sjell këtë informacion për të interesuarit, përfshirë këtu edhe indeksimin e pensioneve për çdo vit.
Në fillim të çdo viti kalendarik, moshat që i afrohen datës së daljes në pension dhe përfitimit të pensionit të pleqërisë nuk janë gjithnjë të qartë se kur dhe si përfitojnë. Shumë pyesin edhe për mënyrën se si indeksohen pensionet e tyre nga viti në vit. Po çfarë do të ndodhë në datën 1 janar 2022 me të gjithë ata individë që kanë mbushur minimum 15 vite pune?
Sipas informacioneve të siguruara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, prej janarit të vitit 2022, do të ketë ndryshime të moshës së daljes në pension për të gjithë këta individë.
Aktualisht për vitin 2021-të, mosha e daljes në pension, për gratë është 61 vite e 2 muaj, sipas ligjit kjo moshë rritet për çdo vit me 2 muaj deri në vitin 2056, kur arrin në 67 vjeç.
Ndërkohë, burrat duhet të kenë mbushur moshën 65 vjeç në mënyrë që të përfitojnë pagesën e pensionit të pleqërisë. Edhe kjo moshë, sipas ligjit, fillon rritet që nga viti 2033 me nga 1 muaj në vit për të arritur në 67 vjeç në vitin 2056. Llogaritjet e mësipërme i referohen reformës së pensioneve të vitit 2014-të, sipas së cilës, masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga, pra pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të ketë aplikanti dhe sa më e lartë të ketë qenë paga e tij, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se vjetërsia e plotë kontributive për të dy gjinitë rritet me 4 muaj në vit, për të arritur me 40 vite në vitin 2029.
Për të lindur e drejta për pension pleqërie, kërkohen dy kushte, që janë vjetërsia kontributive jo me pak se 15 vite kontributive dhe mosha, që përcaktohet si më sipër të paktën për vitin 2022.
Po cili është rregulli për indeksimin e pensioneve. I pranishëm në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ku u diskutua buxheti i institucionit që ai drejton për vitin e ardhshëm, Astrit Hado tha se rritja e pensioneve nuk do të indeksohet sipas inflacionit të përgjithshëm.
Ai theksoi se nëse do të ketë një rritje të vogël të inflacionit gjatë vitit 2022 atëherë diferenca do të mbulohet nga buxheti i Sigurimeve Shoqërore, nëse rritje do të jetë e madhe atëherë ajo nuk do të mund të mbulohet dot nga ISSH.
Pra është përcaktuar një indeks i veçantë për pensionistët dhe nuk indeksohen me inflacionin e përgjithshëm, por indeksohen me inflacionin e një shporte të caktuar mallrash dhe shërbimesh që janë gjerësisht të përdorshme nga pensionistët.
Që do të thotë që nëse rritet çmimi i energjisë dhe i bukës, rritet dhe indeksi i inflacionit për pensionistët.