E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për shkatërrimin e civilizimit

Në fundjavën që sapo e lamë pas producentët e spektaklit aksion-fantastik “Dredd” morën frymë lirshëm. Filmi po i prinë listës britanike të filmave më të shikuar, përkundër asaj që të rinjtë nën moshën 18-vjeçare s’mund ta shikojnë pa përcjelljen e prindërve. Filmi la pas vetes edhe ekranizimin e shumë reklamuar “Ana Karenina”, me Keira Knightley dhe Jude Law në rolet kryesore.

Arsyeja tjetër për kënaqësinë e producentëve ishte edhe premiera e suksesshme e filmit në festivalin prestigjioz filmik në Toronto, pjesë e repertorit të të cilit zakonisht nuk janë filmat e këtij zhanri. Kritikat ishin kryesisht të mira. Madje, në njërën prej tyre thuhet se “Dredd” është ekranizimi më besnik dhe më i arrirë i ndonjë stripi deri më tani.

Debakli si nxitje

Ndryshe, motor i këtij filmi është kompania britanike DNA Films, e cila deri më tani ka qenë producente, ose bashkëpunëtore, e disa realizimeve të lavdëruara, si “28 Pas”, “Rrezet e Diellit”, “Mbreti i Fundit Skocez”, “Kurrë Mos më Braktis”, etj. Për dy filmat a parë skenarët i shkroi shkrimtari britanik Alex Garland, i njohur me bestsellerin “The Beach” (Plazhi), sipas të cilit regjisori Danny Boyle xhiroi filmimin me të njëjtin emër, me Leonardo DiCaprio’n në rolin kryesor.

Disa vite më parë, shefat e kompanisë i propozuan Garland’it që të shkruante një skenar të bazuar në kult-stripin e John Wagner dhe Carlos Ezquerra, “Judge Dredd” (Gjykatësi Dredd), episodet e të cilit u publikuan në strip-revistën “2000 AD”, në vitin 1977.

Atyre nuk iu pengoi fakti që, në vitin 1995, ishte xhiruar një version i filmit - me Silvester Stallone në rolin e Dredd - i cili kishte pësuar një debakël në garën për Mjedrën e Artë. Atë vit filmi ishte shpallur si realizmi më i keq i vitit. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e DNA Films mendonin se tashmë ishte koha për një ekranizim filmik shumë më kualitativ.

Lëvdata për kamerë

Garland e pranoi ofertën me qejf, sepse ishte adhurues i madh i stripit, edhe pse s’ishte i kënaqur me dy versionet e para, meqë nga shikuesi kërkonin një njohje të shkëlqyeshme të origjinalit. Në fund, Garland ndau vetëm një ngjarje, që ndodhi brenda një periudhe të shkurtër kohore, dhe eliminoi shumë personazhe të tepërta. Që nga fillimi, filmin e konceptoi si një trilogji, e cila ka gjasa të realizohet nëse filmi i parë dëshmohet si i suksesshëm nëpër kinema.

Regjia e filit të parë iu ofrua Duncan Jones (djalit të talentuar të David Bowie), i cili e dëshmoi veten me dy filmat e tij, “Hëna” dhe “Kodi Burimor”. Por, Jones nuk u entuziazmua me buxhetin 45 milionë dollarësh, sepse kjo nuk ishte shumë e madhe për standardet hollivudiane, ku filmat kushtojnë 3-4 herë më tepër, edhe pse për një produksion evropian kjo ishte një shifër goxha e majme.

Jones u zëvendësua nga regjisori televiziv me reputacion të mirë, Pete Travis, autor i trilerit politik “Pika e Përparësisë”, me Dennis Quaid, Forest Whitaker dhe Sigourney Weaver. Vlerësimet e para tregojnë se Travis bëri një punë të shkëlqyeshme. Në veçanti lavdërohet kamera e fituesit të Çmimi Oscar, Anthony Dod Mantle (“Dogville”, “Anti-Krishti”, “Nga Rruga në Milioner”, “127 Orë), i cili në mënyrë intriguese eksperimentoi me efekte 3D.

Gjykatësit në aksion

Ngjarja e “Dredd” ndodh në shekullin 22, kur civilizimi pothuajse është shkatërruar nga ndotja e ambientit dhe nga radioaktiviteti. Nuk ka më as qeveri e as shtete, kanë mbetur vetëm megalopolisët, në të cilët pushtet i vetëm janë të ashtuquajturit gjykatës. Ata përballen me një mision të pamundur, gjegjësisht me 17,000 krime në ditë, ndërkaq arrijnë të dënojnë vetëm 6 përqind të kryesve të tyre...

Pra, këta tipa të palëkundur njëkohësisht janë edhe policë, edhe gjykatës, edhe prokurorë, edhe ekzekutues. Dredd është njëri nga ta. Për të gjitha ata që nuk e dinë ngjarjen stripit, filmi që tashmë ka filluar të shfaqet në kinematë evropiane, mbase së shpejti do të jepet edhe në Kinemanë ABC. Do të ishte ky një rast i mirë për t’u njohur me njërin prej super-heronjve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›