E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për trashëgiminë n’zhdukje

Të hënën, në Hotel Prishtina filloi Plejada e Artistëve Ndërkombëtarë, e cila – nëpërmjet krijimit të veprave artistike - ka për qëllim kultivimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në panoramën e qytetit të vjetër të Prishtinës, të humbur kryesisht si pasojë e ndërtimeve të pasluftës.

Përgjegjësja e projektit, piktorja Miradije Ramiqi, thotë se, në këtë rast, arti figurativ shërben si një mjet mbrojtës i trashëgimisë në zhdukje të kryeqytetit të Kosovës.

“Duke u nisur nga domosdoshmëria e ruajtjes, afirmimit dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, ne me këtë rast artin figurativ e kemi parë si mjet shumë të arsyeshëm për organizimin e një aktiviteti me artistë të njohur në nivel ndërkombëtar. Këso lloj aktivitetesh sigurisht që mungojnë në Kosovë, e sidomos në Prishtinë, së cilës ,si një kryeqytet/metropol, i mungon diçka e tillë”, thekson ajo.

Ndryshe, ky aktivitet do të jetë i përvitshëm dhe do të mbahet gjithnjë në të njëjtat data - nga 4 deri më 11 qershor. Pra, sikurse edhe sivjet, kjo e fundit do të jetë data që do të kurorëzohet me hapjen e ekspozitës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës – Qafa, në Prishtinë, ose edhe në ndonjë hapësirë tjetër të ngjashme, me ç’rast do të shënohet edhe 11 qershori Dita e Çlirimit të Prishtinës.

Manifestimi i sivjetmë kulturo-artistik përkon edhe me shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Rrjedhimisht, artistët pjesëmarrës do të punojnë edhe portrete të figurave historike kontribuuan për shtet-formim.

Pjesëmarrës në aktivitet janë 26 artistë të huaj dhe 10 vendorë, në mesin e të cilëve janë: Miradije Ramiqi, Agron Mulliqi, Adem Rusinovci, Hajrush Fazliu, Agron Pollovina, Buron Kaceli, Brunilda Mumajesi, Mustafa Arapi, Marjana Goxhabeliu, Lumturi Blloshmi, Isa Alimusa, Nagib Berisha, Magbule Xhemajli, Zymer Mulliqi, Majlinda Kelmendi, Selin Melek Aktan, Ikbal Kalaja, Natalija Nikolevska, etj.

Në fund të projektit, dhe në shenjë mirënjohjeje për shërbimet që iu ofruan nga ana e organizatorit, të gjithë artistët do të dhurojnë nga dy punime/piktura ose fotografi artistike. Nga ana tjetër, gjatë ankandit publik që do të mbahet pas mbylljes së ekspozitës, si shenjë falënderimi organizatori do t’iu ofrojë sponsorizuesve vepra artistike me një zbritje prej 30 përqind. Zbritja do të vlejë për të gjithë ata që ndihmojnë në realizimin e këtij aktiviteti me rëndësi të veçantë për artin dhe vetë qytetin e Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›