Për tre muaj shtohen 125 mijë libreza
03/02/2010 Rritja e tarifave për vizitat shëndetësore detyron pacientët që të përfshihen në skemën e sigurimeve
Sëmundjet që prekin më shumë shqiptarët si dhe tarifat e reja për kryerjen e vizitave
Rritja e çmimit të tarifave për vizitat dhe ekzaminimet mjekësore ka bërë që shumë prej pacientëve t’i drejtohen skemës së sigurimeve shëndetësore për të shmangur pagesat e larta sa herë që duhet të paraqiten te mjeku. Aplikimi i sistemit të referimit për derdhjen e kostove tepër të larta financiare, qoftë edhe për vizitat më të thjeshta, i ka detyruar personat që të pajisen me librezë shëndetësore, sepse vetëm në kështu do të pranohen për vizita të specializuara në spital pa u dashur të paguajnë. Sipas të dhënave të deklaruara nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë hapur mbi 125 mijë libreza të reja shëndetësore.
Pagesat /librezat
Lidhur me këta tregues drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, ka pohuar gjatë ditës së djeshme: “Vetëm gjatë 3 muajve të fundit janë hapur 125 mijë libreza të reja në shkallë vendi, ndërsa në total gjatë vitit të shkuar janë hapur 296 mijë libreza të reja. Kjo shifër tregon për një rritje të konsiderueshme të përfitimit te pacientëve nga skema e sigurimeve shëndetësore, e cila reflekton marrjen e shërbimeve kundrejt pagesave më të ulëta.” Numri i lartë i pacientëve të siguruar rezulton të jetë veçanërisht për kryeqytetin.
Sipas urdhrit më të fundit për koston e diagnostikimeve mjekësore, pagesat për pacientët e pasiguruar arrijnë në 1000 dhe 1500 lekë të reja pranë mjekut të familjes dhe 2000-3000 lekë të reja për rastet që paraqiten në spital pa marrë më parë rekomandimin e mjekut personal. Këto tarifa do të aplikohen edhe për vizitat më të thjeshta, në rast se pacienti nuk bën pjesë në skemën e sigurimeve shëndetësore.
Shtesat
Lidhja e pagesës së mjekut me performancën në punë, çka reflektohet me shtimin e 10-përqindëshit mbi pagë (për numrin e vizitave të kryera), ka bërë që të shtohet edhe numri i vizitave të kryera te mjeku i familjes, pa u dashur të mbipopullohen shërbimet në spitale. Ky i fundit është edhe çelësi kryesor në marrjen e rekomandimit që e dërgon pacientin në kryerjen e vizitave falas pranë spitaleve. Sipas të dhënave, mësohet se brenda një viti pranë mjekut të familjes dhe atij specialist paraqiten për vizitë rreth
1.309.860 pacientë. Sëmundshmëritë kronike, veçanërisht ato kardiovaskulare, zënë pjesën dërrmuese të ekzaminimeve dhe rimbursimit për kryeqytetin. Konkretisht për vitin që lamë pas pohohet të jenë shtuar në skemën e rimbursimit rreth 11.419 raste të reja, që i kanë shkaktuar listës një efekt prej 90 milionë lekë.