E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD gati të ngrejë që nesër komisionin hetimor

03/02/2010  Demokratët mirëpresin Presidentin Bamir Topi si negociator
Partia Demokratike shprehet e gatshme të ngrejë menjëherë komisionin hetimor parlamentar, i cili do të ketë si objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi ka deklaruar dje se deputetët demokratë mund të votojnë pro këtij komisioni edhe në seancën parlamentare të ditës së enjte. Sipas tij, ky veprim ka qëllimin e mirë të kthimit të opozitës në Parlament. Po ashtu zyrtari i lartë demokrat thekson se PD-ja është e gatshme të nisë pa humbur kohë negociatat me opozitën nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi. “Partia Demokratike thekson gatishmërinë e saj për të mirëpritur kontributin e Presidentit të Republikës dhe të çdo aktori tjetër, pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues, respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave mund të ketë vetëm një dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq”, - ka deklaruar kreu i grupit parlamentar demokrat. Në deklaratën e djeshme Patozi u ktheu përgjigje qëndrimeve të prera të lidershipit të Partisë Socialiste, sipas të cilit ndërprerja e bojkotit varet vetëm nga hapja e kutive të votimit. Por një gjë e tillë është absolutisht e papranueshme për mazhorancën, e cila thekson se ajo çështje është mbyllur me vendimet e marra nga gjykatat dhe kundër tyre nuk mund të shkohet. Shefi i ligjvënësve të PD-së thotë se prej ditësh kreu i PD-së Edi Rama po keqpërdor rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë. Madje, ai thotë se demokratët ishin ata që rrëzuan 19 vjet më parë komunizmin dhe nuk impresionohen nga bijtë e tyre, tashmë pjesë e PS-së. Përmes kësaj deklarate PD-ja ka dashur të shprehë forcën e saj karshi deklaratave të opozitës dhe aksionit të saj politik. Edhe pse palët kanë pranuar Presidentin Topi si negociator, asnjë nuk është vendosur mbi fatin e negociatave.
Rezoluta e KiE
Këshilli i Europës kërkon që në Shqipëri të ngrihet një komisioni parlamentar për të hetuar zgjedhjet e 28 qershorit, por në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Pas ndërhyrjes dhe kërkesës së bërë nga drejtues i delegacionit të Parlamentit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, deputeti i PD-së Ilir Rusmali u sanksionua se ky komision hetimor duhet të funksionojë në respekt të plotë të ligjeve të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›