E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vefa”, skema për kthimin e lekëve

03/02/2010  Ekspertët vlerësojnë formulën e shitjes së menjëhershme ose llogaritjes së përfitimeve
Kontratat dhe vlerat që mund të vijnë prej shoqërisë “Poseidon”
Ekspertët e ekonomisë dhe të drejtës kanë nisur diskutimin mbi formën e administrimit të shoqërisë “Poseidon”, e cila rezulton në pronësi të kompanisë rentiere “Vefa”. Burimet kanë bërë të ditur se mundësia më e mirë do të jetë shitja e aksioneve, duke bërë dhe vlerësimin e tregut. Ndërkohë që për këtë mund të merret dhe një kompani e njohur në fushën e administrimit.
Shifrat
Duke parë situatën ndërkombëtare si dhe vlerësimin e tregut, ekspertët do të verifikojnë aktivitetin ekonomik të kësaj kompanie. Në bazë të kësaj si dhe pas vlerësimit të kapitaleve që ajo zotëron do të rishihet dhe shuma që mund të përfitohet për kompensimin e kreditorëve. Ndërkohë që pas këtij rivlerësimi do të kalkulohet dhe përqindja, e cila do t’i kthehet huadhënësve të saj. Faktikisht Vebi Alimuça, e ka blerë shoqërinë “Poseidon”, në vitin 1996, ndërsa nuk ka mundur të administrojë në formë të plotë për shkak të rrëzimit të firmave rentiere në Shqipëri, e për pasojë dhe të arrestimit të tij. Ndërkohë që administratorët e firmës rentiere kanë marrë në zotërim dhe drejtim të pronave të tyre në emër të shtetit shqiptar, i cili përfaqësonte dhe kreditorët e këtyre kompanive. Ndërsa për sa u përket pronave që këto kompani kanë blerë jashtë Shqipërisë është dashur një hetim dhe më i gjerë për të zbuluar dhe kontratat. Ekspertët kanë shpjeguar se pas kësaj kanë nisur dhe bisedimet me shtetet përkatëse si dhe me aksionerët e tjerë të shoqërive që u bënë pronë e firmave piramidale në vitin 1996-1997. Duket se shoqëria “Poseidon”, është nga më të mëdhatë që do të kalojë në administrim të shtetit shqiptar, për të shtuar mundësinë e kthimit të shumave sado minimale apo maksimale për shqiptarët që humbën paratë në firmat piramidale.
Kthimi
Megjithatë, nisja e procedurave për kalimin e kësaj prone në emër të administratorëve të kompanive rentiere, do të duhet ende kohë deri në nisjen e kthimit të parave. Kjo pasi aktet juridike kanë afatet e tyre. Ndërsa pas kësaj do të duhet një llogaritje edhe më e saktë për shitjen apo administrimin financiar të kësaj kompanive. Ekspertët nuk kanë përjashtuar dhe mundësinë që në rast se kompania ka fitime maksimale, ato mund të përdoren dhe për të rritur të ardhurat në të mirë të kreditorëve. Por dhe shitja e menjëhershme nuk do të përjashtohet. Duke likuiduar kështu kompanitë e vlerësimit apo dhe detyrimet ndaj palëve të tjera.
1. Në bazë të Projekt-Marrëveshjes paraprake të lidhur me datën 05.04.1996, midis z. Faik Abushamala aksioner te shoqëria “Poseidon” AE-Athinë Greqi dhe Vehbi Alimuçaj, President i shoqërisë “Vefa” SHPK Tiranë, kanë rënë dakord për shitjen 100% të aksioneve të shoqërisë “Poseidon” AE Athinë, Greqi.
2. Deklarata e datës 13.08.1998, bërë nga z. Faik Abushamala dhe avokatit të prokuruarit të tij z. Dionis Gj. Buluka, i cili deklaron se ka marrë nga z. Leka Vera (Përfaqësues i autorizuar nga z. Vehbi Alimuçaj) shumën prej 2.000.000 USD amerikan, nga fundi i muajit shkurt 1997, deri në muajin qershor 1997, me këste, të cilat tërësisht u vunë në dispozicion të shoqërisë të sipërpërmendur “Poseidon” AE Athinë, Greqi.
3. Kontrata e shitjes së aksioneve nga z. Faik Abushamala, tek znj. Anastasia Cakallu e datës 27.07.1997, e cila deklaron se njeh detyrimin ndaj Vehbi Alimuçaj, President i shoqërisë “Vefa” SHPK Tiranë.
Për sa parashtruam më lartë, administratori i shoqërisë “Vefa” shpk në administrim:
VENDOSI
Të shpallë debitor, SHOQËRINË ANONIME TURISTIKE, TREGTARE DHE PËRFAQËSI NDËRMARRJESH “Poseidon” AE, me adresë Glifadhe- Attike, Rruga “Metaksa” Nr.32- Athinë-Greqi, për shumën 2.000.000 (Dy milionë) USD amerikan.
Ky vendim përben titull ekzekutiv në bazë të nenit 510 të K. Pr. C.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›