E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për vitet e para regjistrimet nisin pas 12 shtatorit

05/09/2011  Strehimet në Qytetin Studenti, online ndarja e dhomave për vitet e dyta–të gjashta

Pranimet e reja pas shpalljes së fituesve zyrtarë në fakultetet publike

Detajohet ndarja e dhomave për studentët që gjatë vitit të ri akademik 2011–2012 do të strehohen në bujtinat e Qytetit Studenti. Drejtuesit e këtyre bujtinave kanë konfirmuar se është zyrtarizuar ndarja e plotë e dhomave për të gjithë studentët, duke filluar nga vitet e dyta deri tek ato të gjashta. Tashmë është hartuar edhe lista zyrtare e regjistrimeve të bëra për të gjitha bujtinat, ku, sikundër ka ndodhur edhe një vit më parë, në faqen zyrtare të internetit të Qytetit Studenti janë shpallur online të gjitha të dhënat mbi përbërjen dhe numrin e dhomës ku është akomoduar çdo student i këtyre viteve. Kështu, çdo student mund t’i drejtohet faqes zyrtare www.qytetistudenti.al për të mësuar të gjitha të dhënat mbi strehimin e tij gjatë vitit të ri akademik. Ndërsa për kandidatët që do të vijojnë për herë të parë studimet e larta në fakultete publike bëhet me dije se procesi i regjistrimeve dhe ndarjes së dhomave do të bëhet pas datës 12 shtator. Kjo pasi deri në këtë afat parashikohet të bëhet publike edhe lista zyrtare e kandidatëve të shpallur fitues në universitete për vitin e ri akademik sipas kuotave të miratuara nga qeveria. Për t’u strehuar në këto bujtina studentët e viteve të para do të dorëzojnë në datat e caktuara dosjen e dokumenteve në përbërje të cilës duhet të ketë certifikatën me fotografi të periudhës korrik–tetor 2011 ose fotokopje e kartës së identitetit, e shoqëruar me fotografi dhe e noterizuar, 3 fotografi, vërtetimin nga fakulteti përkatës ku vazhdojnë studimet, i cili duhet të jetë i vulosur (jo fotokopje), raport mjekësor nga rrethi përkatës. Për të përfituar shërbime mjekësore falas studentët duhet të sjellin pranë qendrës shëndetësore kartelën mjekësore si dhe mandatpagesën për tarifën e derdhur nga një bankë e caktuar.

Lidhur me tarifën e strehimit bëhet e ditur se nuk do të ketë rritje të saj. Pra, çdo kandidat që do të strehohet në godinat e Qytetit Studenti në nisje të vitit akademik duhet të paguajë koston vjetore të strehimit, e cila arrin në vlerën 40 mijë lekë. Për pranimet e reja janë parashikuar rreth 1850 vende strehimi, ndërkohë që në total për të gjitha vitet ky qytetet do të strehojë 6200 studentë të degëve të ndryshme studimore

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›