Përball tmerrit komunist

Pavijoni është vendosur në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, në një sipërfaqe ekspozuese prej 400 metrash katrorë.
“Është një pavijon i ri. Me kalimin e viteve dhe me plotësimin e dokumenteve menduam ta rindërtojmë nga e para”, shprehet Enver Kushi, muzeolog dhe organizator i pavijonit.
Në stendat e pavijonit janë paraqitur formimi i organeve të diktaturës komuniste, proceset e para të mëdha gjyqësore (gjyqi special dhe gjyqet tjera ndaj kundërshtarëve të regjimit), rezistenca antikomuniste (kryengritja e Postribës dhe lëvizjet tjera antikomuniste - veçanërisht në veri të Shqipërisë). Pjesë e pavijonit janë edhe formimi i grupeve opozitare dhe gjykimet e ashpra të tyre, gjykimet e teknikëve dhe inxhinierëve të shkollës amerikane, gjykimet e deputetëve e të tjerëve, rrënimi ekonomiko-financiar i vendit, inskenimi i bombës në Ambasadën Sovjetike, pushkatimi i personave të pafajshëm pa gjyq, reagimi ndaj regjimit komunist nga jashtë, torturat dhe mjetet e torturave, vend-ekzekutimet, vrasjet në kufi të vitit 1990, rënia e diktaturës komuniste, etj.
“Është punuar për ta trajtuar si një pavijon të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm të Muzeut Kombëtar. Ka karakter historik-kronologjik, por edhe tematik. Pavijoni bën një sintezë të periudhës së përndjekjes së kësaj shtrese dhe një paraqitje të një niveli shkencor, shumë të lartë krahasuar me atë të vitit 1996, sepse ka një njohje të plotë të problemit, dokumentacion përkatës dhe teknologji mjaft moderne”, pohojnë ekspertët e muzeut.
Pavijoni i Socializmit në Muzeun Historik Kombëtar u shkatërrua në fillim të viteve ’90, kështu që kjo periudhë e historisë mbeti bosh edhe pse drejtorë të ndryshëm ishin përpjekur të ngritnin pavijonin e gjenocidit.
Në hapje të pavijonit ishin të pranishëm kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Kulturës Aldo Bumçi, ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, si dhe përfaqësues të tjerë politikë të Shqipërisë.
“Ky komb ka historinë e vet, por historia e diktaturës është historia më e dhimbshme, më tragjike dhe më e pamerituar e kombit shqiptar”, nënvizoi mes tjerash kryeministri Berisha, derisa pohoi se 20 shkurti ishte data kur studentët dhe qytetarët e Tiranës, dhe të mbarë Shqipërisë, shprehën një trimëri të pashoqe dhe përmbysën shtatoren e diktatorit, “gjë që shënon de facto themelimin e opozitës shqiptare dhe gjunjëzimin përfundimtar të diktaturës hoxhiste në Shqipëri”.
Ministri i Kulturës Aldo Bumçi, në fjalën e tij theksoi se, tash e tutje do të vazhdohet puna edhe për hapjen e muzeve të tjerë, të cilët do të tregojnë të kaluarën komuniste dhe vitet e egra të diktaturës në vend - njëri në Shkodër dhe tjetri në ish-burgun e Spaçit.
Gjithashtu, së shpejti në shitje do të dalë edhe një botim i veçantë, i pasuruar me foto dhe dokumente të shumta, i titulluar “Terrori Komunist në Shqipëri”.
Terrori komunist shqiptar
(të dhëna jokomplete)
Konsiderohet se janë vrarë 5,157 njerëz;
952 persona kanë vdekur nëpër burgje (7 ishin femra);
Aftësinë mendore e kanë humbur 273 njerëz (29 ishin femra);
Të dënuar politikë ishin 17,900 persona (450 ishin femra);
30,383 persona u internuan me motive politike;
Ekzistonin 23 burgje dhe 48 kampe internimi masiv;
Nga qytetet kryesore dhe rajonet kufitare u dëbuan me dhjetëra njerëz;