E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialogu, BE flet për afrim të qëndrimeve

(E plotësuar) Dita e parë e raundit të dialogut mes Kosovës e Serbisë, që është i pari për këtë vit, ka përfunduar pa arritjen e marrëveshjeve.

Bisedimet vazhdojnë nesër, ndërsa burimet e BE-së kanë bërë me dije, se takimi sot ka zgjatur gjatë gjithë ditës.

Sipas këtyre burimeve, palët janë afruar shumë në qëndrime rreth dy pikave, që kanë qenë në agjendë- zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, konkretisht se si do të marrë pjesë Kosova në takimet rajonale.

Zyrtarët e BE-së kanë thënë se takimi ka qenë në një atmosferë pozitive dhe se palët kanë pasur qasje konstruktive.

“Kemi arritur shumë, por kanë mbetur shumë gjëra për t’i diskutuar dhe ato do të vazhdojnë nesër”, ka thënë një zyrtar i BE-së, siç transmeton Evropa e Lirë.

Delegacioni i Kosovës dhe shefja e tij, Edita Tahiri kanë heshtur para mediave dhe nuk kanë dhënë asnjë deklaratë as para e as pas nisjes së takimit.

Stefanoviq: Pozicionet janë edhe më të largëta

Shefi i ekipit negociator serb, Borko Stefanoviq ka deklaruar se dialogu me Prishtinën vazhdon nesër, por ka theksuar se pozicionet e të dy palëve janë edhe më të “largëta”.

Ai u ka thënë mediave serbe se pala serbe do të bëjë gjithçka është e mundur për të arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

“Bisedimet vazhdojnë nesër në mëngjes. Situata është shumë e vështirë dhe bisedimet ishin të vështira”, ka thënë ai për të shtuar se Serbia “i mbetet besnike qëndrimit” që në përfaqësimet rajonale të gjendet një zgjidhje e pranueshme, në përputhje me Rezolutën 1244.

Atmosferë pozitive në Bruksel

Në Bruksel po vazhdon dialogu ndërmjet Kosovës e Serbisë, i cili ka filluar në orën 10 të mëngjesit.

Siç raporton Evropa e Lirë, palët kanë pasur një pauzë dreke dhe janë kthyer sërish, për të diskutuar marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.

Sipas burimeve të BE-së, takimi po zhvillohet në atmosferë pozitive, gjë që jep shpresë se mund të rezultojë me dy marrëveshje: atë për përmbushjen e pikave të marrëveshjes për lëvizjen e lirë dhe të menaxhimit të integruar të kufijve, si dhe marrëveshja për bashkëpunimin rajonal.

Raportohet se më herët, para gazetarëve, ka folur vetëm shefi i ekipit negociator serb, Borisllav Stefanoviq, i cili në lidhje me fusnotën për Kosovën, ka thënë se ka qenë propozim i Serbisë, i përqafuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Stefanoviq ka thënë se zgjidhja për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale do të jetë duke marrë parasysh Kushtetutën e Serbisë, Rezolutën 12 44 dhe Deklaratën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por ka hedhur poshtë mundësinë, që të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas Bashkimit Evropian, një arritje e marrëveshjes do të ishte në të mirë të të dyja palëve, sepse Serbisë i ndihmon për statusin, ndërsa Kosovës për nismat rajonale.

Nuk dihet nëse ky raund bisedimesh do të përmbyllet sonte, apo do të vazhdojë edhe nesër.

Nisin bisedimet

Raundi i ri i dialogut Prishtinë-Beograd ka filluar sot në Bruksel.

Kreu i delegacionit serb, Borislav Stefanovic, ka thënë se ekipi i Beogradit është i gatshëm për një marrëveshje që do të përfshijë kompromisin e të dyja palëve.

"Ne do të respektojmë Rezolutën 1244 dhe ne nuk presim që bisedimet të jetë e lehtë", ka thënë Stefanovic për “Beta”, transmeton telegrafi.

Ai gjithashtu tha se është e mundur që negociatat të vazhdojnë të enjten.

Sipas tij, pala serbe vonesën e ekipit të Prishtinës e ka shfrytëzuar për konsultime të gjera në Bruksel dhe për kontakte me Presidentin serb, Boris Tadic.

Shefja e ekipit negociator të Prishtinës, Edita Tahiri, dje ka hyrë përmes derës së pasme për të shmangur të gjitha kontaktet me gazetarët.

Stefanovic ka thënë se sot do të flitet edhe për një temë tjetër të rëndësishme: menaxhimin e integruar të kufijve.

"Interesi ynë është që vendkalimet të jenë funksionale, por që këtu të mos ketë asnjë element të kufijve shtetëror”, ka thënë ai.

“Nëse nuk ka marrëveshje, të gjithë do të humbin, përfshirë Prishtinën”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›