E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perballja e dyte Kuci propozon traktat paqeje

Bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me një traktat të paqes në mes të dy shteteve. Ky është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës, i shprehur nga zëvendëskryeministri, Hajredin Kuqi, pak orë para fillimit të takimit të dytë të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Ne bisedimet i bëjmë për shkak të raporteve tona me BE dhe SHBA por edhe për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon por gjithnjë duke ruajtur karakterin tonë do të thosha të identitetit shtetëror dhe kombëtar. Besoj se këto bisedime, pa ndonjë entuziazëm të lartë duhet të përfundojnë me një marrëveshje paqësore apo me një traktat të paqes në mes të dy vendeve tona dhe me një konsolidim të përhershëm të paqes”, deklaroi Hajredin Kuqi, Zv/kryeministër i Kosovës.

Kuqi  tha se pala kosovare do të jetë konstruktive gjatë këtyre bisedimeve, por gjithmonë duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës. “Kosova shkon me orientim pozitiv në këto bisedime, do të jemi gjithmonë konstruktiv por gjithmonë duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet tona dhe obligimet që I kemi para qytetarëve tanë. Kosova nuk shkon me frikë, nuk e kemi frikën e bisedimeve. Ne kemi qëndrueshmërinë tonë si shtet, kemi konsolidimin tonë juridik dhe politik dhe mbështetjen e fortë të BE-së dhe SHBA-ve”, tha Kuqi.

Ndërkohë Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar për Zërin e Amerikës se hapat e parë të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit janë pozitivë dhe se suksesi i këtyre bisedimeve mund t’iu sjellë të dyja palëve përfitim të madhe në rrugën drejt afrimit në BE.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›