E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballu me refleksionin

Pas Beogradit, ekspozita “Face the Reflection” do të prezantohet edhe në Prishtinë. Fjala është për dy qytete, dhjetë autorë, dhjetë javë, dhjetë foto-tema, dhe asnjë fjalë. Nga Express më 10 maj 2011 në ora 11:43

Sipas pjesëmarrësve, suksesi i arritur në Beograd ka qenë motivi kryesorë që ekspozita e njëjtë të vendoset edhe në Prishtinë.

Në fakt, ekspozita erdhi si rrjedhojë e tre muajve të komunikimit virtual ndërmjet 20 artistëve nga Kosova dhe nga Serbia përmes web faqes

www.facethereflection.com. Se çfarë fshihet prapa 150 fotografive që do të ekspozohen dhe për të mësuar më shumë për reagimet e artistëve të Prishtinës dhe Beogradit derisa përballeshin me njëri-tjetrin, do të mund të shohin të gjithë të vizitorët e interesuar për të parë ekspozitën në Galerinë Tetris, që hapet më 12 maj, nga ora 20, dhe zgjatë deri më 19 maj.

"Pikërisht për faktin që komunikimi ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është një temë aktuale, sepse kur flitet për këto dy vende ato gjithmonë vihen në kontekst politik, dhe për shkak se nëpër media manipulohet interpretimi i ‘realitetit’, e që parimisht kjo s’ka asnjë lidhje me njerëzit e thjeshtë dhe me mendimet e tyre, vendosa ta bëja këtë projekt, i cili mundëson një komunikim virtual”, sqaron autorja e projektit, Ana Dragic.

“Duke mbledhur artistë nga të dyja vendet, që komunikuan pa asnjë fjalë dhe vetëm përmes fotografisë, nuk pati vend për keqkuptime. Ndërkohë, njerëzit që përmes web-faqes e kanë parë gjithë punën e këtyre artistëve, kanë pasur rastin të shohin dallimet dhe ngjashmëritë. Pra, dy qytete, dhjetë autorë, dhjetë javë, dhjetë tema dhe asnjë fjalë. Shumë shpejt i gjeta fotografët e interesuar në Beograd, e pastaj edhe në Prishtinë. Ideja që të jenë të lirë në përzgjedhjen e temave, si dhe në interpretimin e fotografive të njëri-tjetrit iu pëlqeu shumë", përfundon ajo.

Me këtë rast, është paralajmëruar se artistët pjesëmarrës nga Beogradi do ta vizitojnë për herë të parë Prishtinën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›