E Diel, 1 Nëntor 2026

Përçahen krerët ilegalë të veriut, shkak zgjedhjet

Më 6 maj në veri të vendit nuk do të organizohen zgjedhjet lokale serbe, por vetëm ato parlamentare, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it nga veriu. Sipas këtyre burimeve, kontinuitetin e pushtetit nëpër disa komuna të veriut të Kosovës, siç janë Zubin Potoku dhe Zveçani, ku krerëve dhe këshilltarëve të këtyre komunave u kalon mandati, do ta sigurojë Beogradi.

“Nëpër komunat nëpër të cilat ju ka kaluar mandati pushtetarëve lokalë, në vend të atyre që do të zgjidheshin, Qeveria e re serbe do të emërojë përkohësisht udhëheqës të ri sipas ligjit për vetëqeverisjes lokale, deri sa të krijohen kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë”, kanë thënë burimet.

Ndërkaq, disa nga përfaqësuesit ilegalë të serbëve në veri të Kosovës, kanë apeluar tek pushtetarët në Beograd që gjithsesi të organizojnë zgjedhjet lokale serbe në territorin e Kosovës, në të kundërtën nuk do marrin pjesë as në zgjedhjet parlamentare.

“Nëse nuk organizohen zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, ne do të abstenojmë edhe nga zgjedhjet parlamentare dhe nuk do të ketë kurrfarë zgjedhjesh serbe këtu”, ka thënë Dobrosav Dobriq, kryesues ilegal i kuvendit komunal të Zveçanit.

Në anën tjetër, i ashtuquajturi kryetar i Këshillit Nacional serb (KNS) të veriut të Kosovës, Millan Ivanoviq, ka paralajmëruar mbajtje të zgjedhjeve me çdo kusht në veri. Sipas tij, zgjedhjet do të organizohen ngjashëm siç ishte organizuar referendumi kundër institucioneve të Kosovës.

“Përkundër kërcënimeve nga të gjitha anët, ne në Kosovë jemi unikë në përpjekjet për realizimin e qëllimeve dhe interesave tona. Ashtu siç e mbajtëm referendumin, do t’i mbajmë edhe zgjedhjet lokale e parlamentare”, ka thënë Ivanoviq, në një konferencë të organizuar me gazetarë në veri të Mitrovicës.

Ai ka theksuar se KNS-ja në Kosovë dhe KNS-ja e veriut, janë të përkushtuara maksimalisht në përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në tërë Kosovën më 6 maj.

Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për spastrim etnik, presion të vazhdueshëm, frikësim dhe burgosje të serbëve.

“Synimi është frikësimi dhe shpërbërja e institucioneve serbe në Kosovë, me qëllim të përndjekjes dhe asimilimit të serbëve”, ka thënë Ivanoviq, duke shtuar se situatën e rëndon edhe më shumë fakti se në gjithë këtë dhunë ndaj serbëve nuk po reagon Bashkësia Ndërkombëtare. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›