Përcaktohen kriteret për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik

TIRANË, 2 shtator/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka përcaktuar sot kriteret për dhënien e Medaljes së Shërbimit të Rendit Publik, e cila do t’u akordohet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për kontribut të veçantë në luftën kundër krimit, mbrojtjen e jetës dhe sigurinë e qytetarëve, si dhe në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Vendimi, i miratuar në mbështetje të ligjit nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, përcakton kriteret dhe procedurat që lidhen me vlerësimin e kontributit në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
Sipas vendimit, medalja mund t’u jepet punonjësve të strukturave shtetërore që ushtrojnë funksione në fushën e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë Policinë e Shtetit dhe shërbimet e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, si dhe shtetasve shqiptarë dhe të huaj që kanë dhënë kontribut të veçantë në ruajtjen e rendit e sigurisë publike.
Kriteret përfshijnë kontributin në luftën kundër krimit dhe parandalimin e veprimtarive kriminale, mbrojtjen e jetës, shëndetit, integritetit dhe sigurisë së qytetarëve, ruajtjen dhe mbrojtjen e pronës publike e private, garantimin e rendit dhe qetësisë publike, menaxhimin e situatave të konfliktit dhe emergjencave, si dhe ushtrimin me kurajë, guxim dhe përkushtim të detyrave në fushën e sigurisë publike.
Përfituesi i medaljes duhet të plotësojë edhe një sërë kriteresh të tjera, ndër të cilat të mos jetë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë për vepër penale dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi. Gjithashtu, kërkohet të ketë demonstruar sjellje të lartë qytetare, integritet moral, etikë profesionale dhe përkushtim të vazhdueshëm në ushtrimin e detyrave.
Medalja e Artë
Për punonjësit e Policisë së Shtetit parashikohet Medalja e Artë e Shërbimit të Rendit Publik, e cila u jepet atyre që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në përmbushjen e detyrave funksionale.
Në këtë kategori përfshihen punonjësit që kryejnë akte heroike të dokumentuara duke rrezikuar jetën për mbrojtjen e qytetarëve, parandalojnë ose neutralizojnë kërcënime të lidhura me ngjarje shumë të rënda, si situata terroriste, kriminale apo emergjenca civile me rrezik masiv, si dhe ata që drejtojnë me sukses operacione të mëdha me ndikim kombëtar ose ndërkombëtar.
Medalja e Artë mund t’u jepet edhe punonjësve që kanë shërbyer në strukturat e Policisë së Shtetit për jo më pak se 30 vjet, duke dëshmuar gjatë kësaj periudhe profesionalizëm dhe sjellje shumë të mirë.
Në këtë kategori përfshihen gjithashtu aktet e sakrificës personale që kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e sigurisë publike, parandalimin e humbjes së jetës apo të dëmtimeve të rënda fizike të qytetarëve dhe shmangien e përshkallëzimit të situatave të rrezikshme.
Medalja e Argjendtë
Vendimi parashikon edhe Medaljen e Argjendtë të Shërbimit të Rendit Publik, për punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë dhënë kontribut të dalluar profesional dhe operacional në ushtrimin e detyrave.
Kjo medalje u jepet, ndër të tjera, punonjësve që kryejnë veprime të guximshme dhe të dokumentuara në luftën kundër krimit, veçanërisht ndaj krimit të organizuar dhe autorëve të rrezikshëm.
Ajo mund t’u akordohet edhe punonjësve që japin ndihmesë të dukshme në operacione policore ose të mbrojtjes civile, menaxhojnë me efektivitet situata emergjente dhe operacione shpëtimi, apo përballojnë ngjarje që paraqesin rrezik për jetën, pronën ose rendin publik.
Për Medaljen e Argjendtë parashikohet gjithashtu kriteri i të paktën 20 viteve shërbim në strukturat e Policisë së Shtetit, gjatë të cilave punonjësi duhet të ketë dëshmuar profesionalizëm dhe sjellje shumë të mirë, bazuar në vlerësimin e tij në punë.
Vendimi përcakton se propozimi për dhënien e medaljes duhet të shoqërohet me dokumentacion provues, si vërtetime, raporte zyrtare, vlerësime profesionale apo dokumente të tjera të lëshuara nga autoritetet kompetente shqiptare ose të huaja.
Medalje e bronztë
Medalja e Bronztë e Shërbimit të Rendit Publik u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë dhënë kontribut të dalluar në ushtrimin e detyrës.
Sipas vendimit, medalja mund t’u akordohet punonjësve që kryejnë me profesionalizëm, kurajë dhe efektivitet veprime konkrete në mbrojtje të qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik.
Një tjetër kriter është shërbimi në strukturat e Policisë së Shtetit për jo më pak se 15 vjet, gjatë të cilave punonjësi duhet të ketë dëshmuar profesionalizëm dhe integritet në kryerjen e detyrave, me ndikim të ndjeshëm në komunitet.
Medalja mund të jepet gjithashtu për kontribut të dalluar në operacione të përbashkëta, patrullime ose kontrolle që kanë sjellë rezultate të dukshme në forcimin e sigurisë publike dhe rritjen e besueshmërisë së publikut ndaj institucionit.
Medaljet për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin
Kriteret e veçanta të vendimit shtrihen edhe për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Medalja e Artë u jepet punonjësve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, përfshirë akte heroizmi ose sakrifice personale gjatë operacioneve të shpëtimit apo mbrojtjes nga zjarri, duke rrezikuar jetën për shpëtimin e qytetarëve.
Ajo mund t’u jepet edhe atyre që udhëheqin dhe menaxhojnë me sukses operacione madhore të sigurisë nga rreziku i zjarrit dhe/ose të shpëtimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në shpëtimin e jetëve dhe pronës.
Një kriter tjetër lidhet me profesionalizmin dhe përkushtimin e dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme për jo më pak se 25 vjet në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Medalja e Argjendtë u jepet për veprime të dokumentuara guximtare në situata rreziku, pjesëmarrje të suksesshme në operacione të rëndësishme në nivel kombëtar, rajonal ose ndërkombëtar, si dhe për profesionalizëm e kontribut të shtuar të dëshmuar për të paktën 20 vjet në këtë shërbim.
Ndërsa Medalja e Bronztë u jepet punonjësve që kanë dhënë kontribut të dalluar në situata të vështira, në operacione për fikjen e zjarreve dhe shpëtimin, në trajnimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave zjarrfikëse, si dhe atyre që kanë një karrierë prej jo më pak se 15 vjetësh në shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
Medalje edhe për shtetas shqiptarë dhe të huaj
Vendimi parashikon që Medalja e Shërbimit të Rendit Publik, në nivelet “E artë”, “E argjendtë” ose “E bronztë”, t’u jepet edhe shtetasve shqiptarë ose të huaj që kanë dhënë kontribut të dalluar, të dokumentuar dhe të verifikueshëm në mbrojtjen e jetës dhe pronës, forcimin e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme apo forcimin e bashkëpunimit në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
Medalja e Artë për shtetasit shqiptarë ose të huaj parashikohet për akte heroizmi dhe ndërhyrje të jashtëzakonshme, përfshirë shpëtimin e jetëve, ndërhyrjet në operacione kundër krimit të organizuar ose terrorizmit, si dhe veprime të jashtëzakonshme gjatë fatkeqësive natyrore, zjarreve apo situatave emergjente.
Medalja e Argjendtë u jepet për kontribut të dalluar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, përfshirë pjesëmarrjen aktive në operacione të rëndësishme policore, të mbrojtjes civile ose emergjencave, si dhe për kontribut të specializuar profesional, teknik, analitik apo organizativ.
Ndërsa Medalja e Bronztë u jepet për kontribut mbështetës dhe bashkëpunues në funksion të rendit dhe sigurisë publike. Në këtë kategori përfshihen mbështetja në operacionet ose aktivitetet e strukturave përgjegjëse, kontributi në iniciativa e projekte për parandalimin e rreziqeve ndaj rendit publik dhe rritjen e sigurisë në komunitet, si dhe bashkëpunimi i dokumentuar në forma logjistike, teknike ose organizative.
Për zbatimin e vendimit ngarkohet Ministria e Punëve të Brendshme.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
/k.s/r.e/