Përçarja e degës, PS-ja e Durrësit kërkon ndërhyrjen e Ramës
Socialistët e Durrësit prej disa muajsh nuk po gjejnë dot gjuhën e bashkëpunimit dhe tashmë që ndodhen dhe pa një kryetar legjitim, ata kërkojnë ndërhyrje nga lart për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Asambleja e degës nuk ka arritur dot të hartojë një deklaratë në mbështetje të protestave të iniciuara nga kryesia e degës pas kundërshtimeve dhe bojkotit të mbledhjeve që vijnë nga socialistët që janë kundër protestave. Kësisoj, kjo degë ka kërkuar ndërhyrjen e kreut të PS-së, Edi Rama, duke e ftuar atë në një takim të shtunën e kësaj jave dhe gjithashtu kërkohet shpallja e zgjedhjeve në degë për kryetar partie. Të hënën pasdite rreth orës 18:00, në sallën qendrore të pallatit të kulturës A.Moisiu në Durrës, u mblodh Asambleja e PS-së së rrethit, e cila sipas grafikut të miratuar edhe nga Asambleja e Përgjithshme, do të diskutonte lidhur me përgatitjen e protestave. Vendimin për protestat e kanë kundërshtuar një pjesë e mirë e kryesisë së degës, por dje e kundërshtuan edhe gati gjysma e anëtarëve të Asamblesë së PS-së së rrethit. Mungesa e anëtarëve në sallë ka krijuar shqetësim serioz tek mbështetësit e kryesocialistit Rama. Situata e krijuar, e cila reflektoi në amulli dhe kaos, duket se ka sforcuar fanatikët e Ramës, të cilët e mbushën sallën me zyrtarët e bashkisë dhe rajoneve ku janë të emëruar militantët socialistë, për të mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë së PS-së së rrethit, për të hartuar detyrimisht një deklaratë, ku mbështetej vendimi i Asamblesë së Përgjithshme për protestat. Mbledhja e cila ka zgjatur mbi 2 orë, nuk ka dalë me rezultatin që pritej, ndaj u vendos që ditën e shtunë ora 11:00 të ftojnë kryesocialistin Rama për të zhvilluar takimin dhe për të vendosur mbi fatin e degës së PS-së Durrës. Vetëm pesë ditë më parë, disa prej anëtarëve të kryesisë së mbetur të kësaj dege i nisën një thirrje kryetarit Rama ku i kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve në PS-në e Durrësit, dhe afrimin e ish-eksponentëve të partisë si ish-deputetët Bardhyl Agasi e Natasha Paço, por njëkohësisht ata kanë shprehur edhe kundërshtitë e tyre për stinën e re të protestave. Të indinjuar nga mungesa e pjesëmarrjes dhe fryma e përçarjes, si dhe dështimi i mbledhjes së Asamblesë së degës, ata i mbyllën dyert edhe medias, duke e seleksionuar atë sipas preferencave të tyre. Gjithsesi, e shtuna duket se do të jetë dita vendimtare për degën e PS-së në Durrës, e cila prej muajsh gjendet e ndarë në pro-Rama dhe anti-Rama. Lëvizja për ndryshime në degën e Durrësit duket se do të përfshijë shumë shpejt edhe degët e tjera, pasi të njëjtin sinjal ka dhënë këto ditë edhe ajo e Elbasanit