Berisha: Ndërtimi i unazës së madhe, me koncesion
Kryeministri Sali Berisha i prezantoi dje kompanisë austriake, STRABAG, projektet kryesore ku është fokusuar qeveria e tij në këtë 4-vjeçar të dytë dhe midis të tjerave, si projekte të rëndësishme rrugore që mund të ndërtohen me koncesion theksoi unazën e madhe të Tiranës. Për këtë projekt, - tha Kryeministri, - qeveria shqiptare merr përsipër rrezikun e trafikut. Kryeministri Berisha priti dje një delegacion të kompanisë austriake STRABAG, të kryesuar nga zoti Hans Peter Haselsteiner, kryetar i bordit dhe pronar i grupit. Një tjetër projekt i rëndësishëm, një segment i të cilit mund të ndërtohet nëpërmjet koncesionit, Kryeministri veçoi edhe Rrugën e Arbrit. Kjo është një rrugë rajonale, - theksoi Kryeministri, - prandaj ndërtimi i shpejtë i saj është prioritet i qeverisë, sepse ajo shkurton distancat jo vetëm brenda vendit, por edhe ato rajonale. Një tjetër projekt rrugor që qeveria e ka si prioritet është edhe segmenti Rrogozhinë-Thumanë. Kryeministri Berisha, gjithashtu, falënderoi kompaninë për interesin dhe qëllimin e tyre për të marrë pjesë në gara të rëndësishme si ajo e rrugës Tiranë-Elbasan apo edhe të veprave të tjera të mëdha si ato në fushën energjitike, në hidrocentrale si Skavica apo në porte si ai i Vlorës. Kompania STRABAG shprehu jo vetëm interes të madh, por theksoi se do të marrë pjesë edhe në garat në formë koncesioni për mirëmbajtjen dhe menaxhimin ne infrastrukturës rrugore. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha u konfirmoi se qeveria e tij do të fillonte menaxhimin rrugor nëpërmjet koncesioneve private për segmentet Tiranë-Durrës dhe të tjerat në ndërtim. Interesi dhe pjesëmarrja në këto gara e kompanive të mëdha, - tha Kryeministri, - është një garanci më shumë për suksesin e këtyre projekteve. STRABAG është kompani ndër më të mëdhatë në Evropë, me xhiro vjetore prej 11 miliardë eurosh, me projekte në shumë vende të Evropës.