E Shtunë, 31 Tetor 2026

Percillet heroi Vogli

Dëshmori i kombit, Feti Vogli, u përcoll të premten në banesën e fundit pas nderimeve të të gjithë funksionarëve më të lartë të shtetit dhe ushtrisë në Pallatin e Kongreseve.

Ceremonia mortore nisi në orën 11:00, me ish-presidentin dhe gjeneralin Alfred Moisiu e drejtuesit e tjerë të lartë ushtarakë që ishin të parët që vendosën kurora me lule dhe që ngushëlluan familjarët.

Presidenti Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, lideri i opozitës Edi Rama dhe figura të tjera të larta të shtetit shqiptar paraqitën të gjithë me radhë nderimet e tyre për ushtarin e parë shqiptar të rënë në krye të detyrës në Afganistan.

Pjestarë të trupit diplomatik, si ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu dhe ai i BE-së, Ettore Sequi, ishin gjithashtu të pranishëm dhe shkruan ngushëllimet e tyre në librin e kujtimeve.

Përpara se të përcillej për në Varrezat e Dëshmorëve në një shtrat topi dhe me arkivolin e mbështjellë me flamurin kuqezi, ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Xhemal Gjunkshi, ai që mbajti një fjalim të ndjerë për heroin.

“Kapiten Vogli u lind në 23 maj 1981, në Baldushk, në një familje të ndershme e patriote. Një ushtarak karriere i shkëlqyer, ai regjistroi arritje të mëdha në detyrë, për të cilat u nderua edhe me medalje të shuma. Ai është një hero dhe antarët e familjes do të kenë gjithmonë respektin dhe mbështetjen e Forcave Shqiptare të Armatosura”.

Duke vazhduar fjalimin e tij të ndjerë, Gjunkshi shtoi: “Kapiten Vogli u sakrifikua në altarin e lirisë së Atdheut, në betejën për vlerat më të larta njerëzore. Ai dha një kontribut të madh si përfaqësues i shtetit shqiptar në luftën për arritjen e paqes dhe sigurisë në botë. i përjetshëm qoftë kujtimi i tij”.

Ceremonia e përcjelljes së kapitenit në banesën e fundit u mbyll me varrosjen e tij me të gjitha nderimet ushtarake dhe një fjalim të mbajtur nga koloneli Dritan Demiri.

Binte në sy fakti që kjo ceremoni funebër, arriti të bashkonte të gjithë polet e politikës shqiptar, me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha apo liderin e opozitës, Edi Rama, që qëndruan përkrah njëri-tjetrit gjatë mbajtjes së homazheve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›