E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhesi i hapit të katërt

30-10-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Qysh prej gjashtë vjetësh, u përcaktuan politikisht saktë dhe praktikisht qartë, katër hapat që Shqipëria doemos duhet t’i  bënte. Të katër synimet ishin projekte vërtetë madhore, kërkonin përpjekje të pazakonta, që t’i jepej vendit domethënie më europiane, e vështruar kjo dyfish - në pasqyrën e vet dhe në pasqyrën e Bashkimit Europian, vetvetes për t’i marrë shpërblimin e të mundshmes, nga Europa për të fshirë sa më shumë zgjyrë tonën, krijuar andej  për shkaqe të shumta.

Cilët qenë të katër hapat, dhe pse vetëm hapi i katërt mbeti i pahedhur nga ngërçi, ose siç i thonë në Myzeqe, i zënë nga përdhesi?

Hapi i parë i madh, përballë të cilit qëndron mohuese vetëm opozita, është ekonomia, me gjithë kompleksin e  saj. Edhe më i humburi  i Shqipërisë, në këtë dendësi mbulimi mediatik e bombardimi të stërpërsëritur lajmesh, ku secili lajm vërdalliset si në karusel, duke përshkuar çdo gazetë, televizion e  radio, e ka marrë vesh çfarë është rënia në recesion, si vepron kriza e çfarë  ndikimi ka. Organizma të specializuara ndërkombëtare, e kanë vënë Shqipërinë në spikamë, për mënyrën se si e përballon krizën rretherrotull nesh dhe deri atë botërore, pa rënë në recesion, pa mbetur në zero rritje, domethënë,  as ngritje e as theqafje, por përkundrazi, ajo ka patur dhe një rritje mbresëlënëse të qendrueshme. 

Rreth situatës ekonomike të Shqipërisë, flasin thuajse pandërprerë tri palë – qeveria, opozita dhe ndërkombëtarët. Qeveria shpallet entuziaste dhe e vendosur. Ndërkombëtarët bëjnë mbështetje dhe tërheqin vëmendjen, për të ruajtur qendrueshmërinë. Opozita, gjendjen ekonomike të vendit, e bën natë dhe sterr. Ajo, siç flet, dhe po t’i besohet asaj, kujton se e ka me katastrofën e Greqisë e jo me vendin ku është opozitë. Mirëpo, ndër  tre që flasin, dikush nuk thotë të vërtetën: ose qeveria vetëm gënjen, ose ndërkombëtarët  vetëm  nuk shohin, ose opozita vetëm nxin. Por, hapi i parë është hedhur i plotë,  ekonomia e Shqipërisë që rritet për të gjashtin vit, e ka përballuar krizën,  ndërsa ecjen përpara nuk e shquajnë vetëm ata që, për pushtet mbajnë syze të zeza.

Kjo çapitje tejet e vështirë, më e vështira ndër katër hapat, përveç punës dhe vullnetit të madh, ka patur edhe një fat të madh: kjo ecje nuk është varur nga opozita, që ajo të mund t’i vinte stërkëmbëshin pengues apo ca më keq, ta bllokonte. Ajo pati në dorë veç padrejtësinë për të mohuar dhe të drejtën për të përdorur frytet. Sikur kjo lloj opozite, të kishte zotëruar mekanizmat e bllokimit të rritjes ekonomike – pa asnjë dyshim, me  “Opozitën Jo”, do ishim kredhur në recesion.

Hapi i dytë i madh - siguri, politikë dhe imazh - ishte pranimi në NATO. Shpeshpërmendja e këtij hapi madhor, sukses në kohën e pushtetit të aleancës për integrim, vret edhe ndonjë vesh. Kush mban mend, e di se, ka mbetur e fiksuar në kohë, kërkesa e këtij vend të vetmuar, përmes zërit të Presidentit Berisha, që Shqipëria të pranohej në NATO menjëherë, sepse ne, me të vërtetë, ishim rast i veçantë. Shqipëria nuk u pranua atëherë, por disa vite më vonë, dhe kjo për dy faktorë të mëdhenj – përpjekjeve gjigande të qeverisë dhe vizionit të mençur euro-atlantik. Opozita u përpoq dinakërisht  ta pengonte këtë zhvillim  historik, për të mirën e shqiptarëve, në të gjitha hapësirat ku janë. Secila palë mori shpërblimin për çfarë bëri. Por qeverisja pati edhe fat: futja në NATO nuk qe diçka që opozita e kishte në dorë për ta bllokuar me votë. Kujt i dhembin veshët nga përmendja e pranimit e kush  nuk i sheh të mirat e vendit që rrjedhin prej hapit të dytë - anëtarësimi në NATO, ose është i verbër, ose i mbyll sytë të mos shohë, sepse vështrimi  i ka ngecur te marrja e pushtetit.

Hapi i tretë i madh, në rendin e gjërave gati të parrokshme për këtë popull, i mbajtur dikur mbyllur si bagëtia në torishtë, është heqja e vizave. Kjo ka qenë një betejë e lodhshme, për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Europian. Qeveria u gjet në një morsetë “trinofullshe”: mes detyrimit europian për të plotësuar kushtet, premtimit të vet dhënë qytetarëve dhe opozitës që nuk donte heqjen e vizave katër muaj para zgjedhjeve. Çfarë na kanë parë sytë,  te opozita jonë, një vit të  tërë para hapjes së portave  të Europës; çfarë paralajmërimi frikësues i dha opozita jonë Europës me dyndjen për atje edhe të një milion emigrantësh të tjerë; dhe çfarë veprimesh u ndërmorën nga opozita jonë për të nxirë fytyrën e vendit, më shumë se sa komentet, vlen lutja: desh Zoti që, opozita nuk pati gjë në dorë, për të zbatuar politikën e bllokimit me votë. 

Ndër tri hapat e kryer, heqja e vizave qe i treti, por duke qenë interes i drejpërdrejtë i çdo qytetari, deri tek e tek te secili, asgjë tjetër nuk dhembi më shumë politikisht te opozita jonë se sa kjo fitore e përbashkët e shqiptarëve. Pengimet e vrazhdta e tërthore, mbetën mjerimi i saj, mjerim binjak me kohën më të keqe të izolimit të shqiptarëve.

Hapi i katërt i madh ishte i mbështetur mbi tre hapat e tjerë, prandaj dhe vinte i katërti në radhë - marrja e statusit të vendit kandidat për në  Bashkimin Europian. Por, për deri këtu, ai nuk qe më i vështiri. Ai pati fat të vështirë opozitën tonë, e cila kishte në dorë gjysmën, ose të suksesit, ose të dështimit. Hapin e katërt e bëri të veçantë opozita jonë, e  dalë e mundur dhe e sëmurë politikisht nga zgjedhjet e vitit 2009. Opozita nuk përcaktoi dot diagnozën e kurimit, por zgjodhi strategjinë e bllokimit për gjithë mandatin, me dy taktika: gjysmën e parë duke bojkotuar me mospjesëmarrje kundërshtuese, gjysmën e dytë me pjesëmarrje bllokuese mosvotuese. Përpjekjet e opozitës për të dështuar marrjen e statusit kanë qenë, gjakftohta e cinike, sepse e panginjur me dështimin e parë, nuk e çau kryet as për dështimin e dytë, ndërsa ka kërcënuar edhe për dështim të tretë, po nuk u pranuan “10 kushtet”. Hapi i katërt është në ngërç dhe, sipas myzeqarishtes, përdhesi i hapit të katërt është opozita. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›