Perëndimi nuk është më objektivi zyrtar
Kisha vënë re kohët e fundit në fjalorin politik të Berishës zëvendësimin e objektivit tonë kombëtar për integrim në Bashkimin Evropian me një objektiv të paqartë dhe pa adresë, që quhej Shqipëri e zhvilluar. Me pak drojë e kam theksuar në disa shkrime, sidomos pas vizitës në Hungari se ky njeri ka hequr dorë nga objektivi për të anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe sidomos nga përpjekjet për të plotësuar standardet e një vendi demokratik me orientim perëndimor. Të enjten në mbrëmje në emisionin Opinion, Sali Berisha mi hoqi të gjitha mëdyshjet. Ai shpalli si objektiv politik të mandatit të tij të tretë atë që ai e quan Shqipëri e zhvilluar. Në mandatin e parë futa Shqipërinë në NATO, në mandatin e dytë hoqa vizat, mandati i tretë është Shqipëria e zhvilluar, tha Berisha.
Kjo tezë e tij nuk është rastësore. Fillimisht ajo e ka zanafillën nga vjeshta e kaluar kur Bashkimi Evropian reagoi i zhgënjyer pas zgjedhjeve në Tiranë dhe refuzoi për herë të dytë ftesën për vend kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Për herë të parë atëherë Sali Berisha argumentoi se objektivi i tij ka qenë lëvizja e lirë, ndërsa integrimi ishte një proces i gjatë, i cili priste. Më pas e forcoi këtë qëndrim duke filluar të flasë për një ekonomi të fortë, që nuk i ngjan ekonomive të dobëta të Bashkimit Evropian dhe së fundmi ka filluar të flasë për një Shqipëri të zhvilluar, e cila nuk ka më asnjë lidhje me rrugëtimin tonë drejt Perëndimit.
Së pari teza Shqipëri e zhvilluar, e thënë nga Sali Berisha është një tezë spekulative, pasi nuk presupozon një vend të zhvilluar ekonomikisht, por një vend që tenton tu ikë rregullave të ndërtimit të një ekonomie konkurruese. Përfytyrimi i Sali Berishës për një vend të zhvilluar është krejt i ndryshëm nga një vend realisht i zhvilluar, qoftë dhe nga pikëpamja ekonomike. Berisha ngatërron investimet me zhvillimin dhe në mendjen e tij harxhimi i shumë parave për vepra publike, godina apo fasada është zhvillim. Në fakt Shqipëria e tij ka provuar të kundërtën. Segmenti Rrëshen- Kalimash ka ngrënë mbi një miliard euro për 60 km, por nuk ka sjellë asnjë zhvillim, përkundrazi në këto momente ka provokuar krizën e buxhetit dhe mungesën e pagesave dhe për pensionistët. Mijëra apartamente të ndërtuar buzë detit në Golem, Vlorë dhe Sarandë, shkojnë në shifrën 2 miliard euro, por nuk kanë sjellë asnjë zhvillim, përkundrazi kanë shkatërruar tri nga plazhet më të bukur të Mesdheut dhe kjo falë politikave kaotike të qeverisë për të mos orientuar zhvillimin e vendit. Mijëra banesa të ndërtuara me mundin dhe djersën e emigrantëve dhe shqiptarëve të ndershëm përreth Tiranës në Bathore, Paskuqan, Kashar, Farkë dhe Dajt, mund të kenë shkuar mbi 3 miliard euro, por ato nuk kanë sjellë kurrfarë zhvillimi përveçse kanë futur në kolaps perspektivën e Tiranës dhe Durrësit dhe e kanë bërë të paqartë fatin e atyre qindra- mijëra familjeve që kanë investuar pa u zhvilluar.
Këto dhe dhjetëra shembuj të tjerë, të cilat Berisha i përmend si suksese (i përmendi dhe tek Opinioni) nuk flasin për një Shqipëri të zhvilluar, por për një Shqipëri të çrregulluar nga kaosi dhe mungesa e vizionit qeverisës perëndimor për një shtet ligjor me rregulla dhe efecient.
Së dyti, teza Shqipëri e zhvilluar, e fokusuar si objektiv i ardhëm i Berishës, nënkupton që qytetarët e këtij vendi tani e tutje kanë të drejtë të interesohen vetëm për ndonjë lek, pasi problemet e tjera të vendit siç është demokracia, ligji, institucionet, zgjedhjet e lira, liria e shtypit etj, janë çështje të cilat nuk janë më prioritet. Republika e re që vendoset në qershor i bën të panevojshme tiparet e një shteti perëndimor, pasi ato eliminohen nga fakti që gjithë pushtetet kalojnë në dorë të Sali Berishës.
Së treti me tezën Shqipëri e zhvilluar Berisha po përpiqet të justifikojë afrimin e tij të frikshëm me shtete që po ecin kundër kursit të Perëndimit ose që nuk kanë qenë kurrë pro-perëndimore. Afrimi i tij me hungarezin antiperëndimor Orban, vizitat me çantë në dorë tek një diktator batakçi siç është Alievi i Azerbajxhanit, si dhe promovimi i politikave etatiste të tipit toka i takon atij që e punon, për të cilat në vend të citojë Enver Hoxhën në Krutje, citon gjoja Xhefersonin.
Shqipëria realisht po shkon drejt monopoleve të frikshme ekonomike të përqendruara në tre- katër duar biznesmenësh të Familjes Berisha, të cilët sot kontrollojnë punët publike, investimet strategjike në naftë, energji, telefoni dhe ndërtim si dhe një sistem të mirëkontrolluar korruptiv për transferimin e pronës nga pronarët realë në duart e Familjes në pushtet. Kjo sidomos për tokat në bregdet dhe ato në zonat e projektuara si industriale. Me këtë përqendrim të frikshëm të kapitalit në duart e Familjes, me rënien e Republikës në qershor dhe kalimin në një shtet privat të Sali Berishës, dhe me përjashtimin e Perëndimit si opsion dhe objektiv i ardhshëm i Shqipërisë, Berisha po tenton të na bëjë një republikë ku vizitorët mund të shikojë fasada xhami pas së cilës nuk ka qytetarë, ndonjë rrugë të gjerë ku nuk kalojnë makina, ndonjë plazh të stërndërtuar ku nuk pushon njeri dhe një qeveri, që kontrollon varfërinë dhe mungesën e lirisë në vend përmes pushtetit jolegjitim. Ky model që ai po promovon shihet qartë dhe në konceptet që ia po shfaq për lirinë politike në vend, për rotacionin, raportet me Perëndimin, etj. Asnjë kryeministër i një vendi të lirë nuk flet për emërimin e opozitës dhe për rotacionin siç flet ai. Askush nuk e zgjedh opozitën siç kërkon ta zgjedhë Sali Berisha. Askush nuk guxon të flasë se kur duhet bërë rotacioni dhe kur nuk duhet bërë pasi asnjë kryeministër në botën e lirë dhe demokratike nuk i ka në dorë zgjedhjet dhe votat e qytetarëve siç i ka kryeministri ynë. Vetëm ky guxon të thotë që rotacioni është i nevojshëm, por jo kur është përballë Edi Rama. Ky njeri dëshmon tashmë fare hapur se ka në dorë procesin zgjedhor, rezultatet dhe mbi të gjitha kërkon të na emërojë përveç një qeverie kukull dhe idiote, siç na ka emëruar, dhe një opozitë kukull. Ky është kryeministri që shfaq hapur bezdinë për këshillat e ndërkombëtarëve rreth zgjedhjes së presidentit dhe flet me urrejtje për gjithë ish- bashkëpunëtorët e tij që kërkojnë ta ndalin në revanshin e tij antiperëndimor dhe antishqiptar. Mjaftojnë këto koncepte që ai shfaq publikisht për të kuptuar se ai tashmë është i vetëdijshëm për luftën në të cilën ka hyrë me Perëndimin dhe pamundësinë që të jetë edhe kryeministër, edhe të ketë zgjedhje të lira në vend. Ai po e thotë qartë dita- ditës se nuk e ka më objektiv ta bëjë këtë vend një vend perëndimor, por principatë lindore, ku ai të diktoj gjithçka si një sulltan që atdheun e ka për stoli. Objektivi i tij për një Shqipëri të zhvilluar në atë që ai e quan mandat të tretë, është në të vërtetë objektivi për një Shqipëri të izoluar, për një shoqëri të përdhunuar dhe për një regjim të huazuar nga republikat autokrate të Lindjes, të cilave nuk u ngjit realisht Perëndimi.
