E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfaqësuesja e KE në Shqipëri: Në BE do të rritet varfëria

Kriza globale pritet të ketë ndikim në rritjen e varfërisë dhe të papunëve në vendet e BE. Gjatë një seminari për përkrahjen sociale të organizuar nga Ministria e Punës, përfaqësuesja e KE në Tiranë tha se kriza do ndikojë në shtresat e varfëra. 

TIRANE- Pritet që në Evropë të rritet numri i personave të varfër, personave të papunë dhe çmimet e produketeve të ndryshme në treg. Një gjë e tillë parashikohet për shkak të krizës globale që ka mbërthyer vendet e zhvilluara. Gjatë një seminari të organizuar nga Ministria e Punës për përkrahjen sociale, një nga përfaqësuesit e Komisionit Europian në Tiranë, Antoneta Carpareli, tha se kriza botërore parashikohet të ketë ndikim të madh në shtresat e varfëra të vendeve të Bashkimit Europian kryesisht tek personat e papunë, numri i të cilëve do të rritet. Sipas Carpareli 16 për qind e evropianëve jetojnë në varfëri e cila më e madhe është tek fëmijët. "10 për qind e evropianëve janë të papunë dhe 15 për qind e tyre lënë shkollën për t'u punësuar", tha Carpareli.
Sipas përfaqësueses së KE-së, vitit 2010 do t'i kushtohet zbutjes së varfërisë. Luigi Brusa, nje tjetër përfaqësues i Komisionit Europian në Tiranë tha se KE-ja nëpërmjet programeve të ndryshme ka ndërhyrë në Shqipëri për përkrahjen e personave në nevojë. Brusa tha se KE pritet të investoje në Shqipëri 1,5 milion euro për shoqatat jofitimprurëse dhe shoqëritë civile. Sipas Luigi Brusa, një tjetër program i KE-së është ai prej 8 milion eurosh për zhvillimin e zonave rurale kryesisht në infrsatrukturë dhe 7 milion euro të tjera për përfshirjen e shtresave në nevojë në jetën ekonomike. Ministri i Punës Anastas Duro, tha se në vend shifrat e varfërisë kanë ardhur në ulje. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›