E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi, ulet taksa e regjistrimit. PS: Hap i PD për fushatë

Një bashkim i votave të LSI me PD ka bërë të mundur miratimin e një ndryshimi në ligjin për Urbanistikën. Sipas socialistëve ndryshimi lë hije dyshimi se ulja e taksës për regjistrim nga bizneset do të përdoret për të financuar fushatën e PD. 

TIRANE- Një bashkim i votave të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike në komisionin e ligjeve, ka bërë të mundur miratimin e një ligji që çon tashmë më pak të ardhura në arkën e pushtetit vendorë.
Bëhet fjalë për një ndryshim në ligjin për urbanistikën, sipas të cilit taksa e regjistrimit prej 1 për qindëshi që i paguhet pushtetit vendorë të zonës ku kryhet investimi ulet dhe shkon në 0.1 për qind.
Deputetë të Partisë Socialiste e kontestuan ligjin si përpjekje e qeverisë për të bërë lojën e disa bizneseve në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, para që sipas tyre nga pushteti vendorë do të shkojnë për interesa të tjera të fushatës së partisë në pushtet.

Ndryshimi pritet të favorizojë me uljen e taksës së regjistrimit bizneset që kanë projekte në infrastrukturë, në ndërtimin e rrugëve kombëtare, aeroporteve dhe atë të energjetikës.
Me po kaq interes u zhvillua në komision edhe diskutimi për ligjin mbi krijimin e Gjykatës Administrative, Këshili i Lartë i Drejtësisë bëri thirrje për të marrë parasysh vërejtet e saj. Në emër të KLD-së njeriu i përzgjedhur pak kohë më parë nga Partia Demokratike Neshat Fana në detyrën e anëtarit të këtij këshilli, bëri thirrje për të marrë parasysh pretendimet e tij.
Me këmbënguljen e opozitës u ra dakord që ekspertë të organizmave ndërkombëtare, ato të Ministrisë së Drejtësisë dhe ato të Partisë Socialiste të punojnë deri ditën e hënë për të arritur në një kompromis për ligjin e krijimit të Gjykatës Administrative. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›