E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfitimet e invalidëve, Oketa kundër, Naço abstenon

Foto Shekulli

Emirjon Senja

Votimi i ndryshimeve në ligjin për subvencionimin e energjisë elektrike, telefonisë dhe shërbimit të transportit publik, për invalidët u shoqëruar me jo pak surpriza dje në Kuvend, ku nisma u miratua vetëm me katër vota plus, ndërsa pati edhe votë kundër nga radhët e PD-së.

Ligji i ri, i cili vendos rregulla të reja për masën e përfitimeve, kufizon në një farë mënyrë shumën që marrin çdo muaj këto shtresa, por ndryshimet konsiderohen të rëndësishme nga qeveria për të shmangur abuzimet që ishin bërë deri më tani sipas saj në këtë skemë. Miratimi këtyre ndryshimeve në Kuvend mbart edhe një kosto politike për mazhorancën. Nisur nga kjo, edhe pse kishim të bënim me një ligj që mund të miratohej me shumicë të thjeshtë, sigurimi i votave ishte një sfidë për mazhorancën.

Kjo, për faktin se Levizja Socaliste për Integrim kishte deklaruar se nuk do të mbështeste këtë veprim të qeverisë, qëndrim ky i artikuluar edhe nga aleatët e rinj, PDIU. Në këtë mënyrë, mazhoranca hynte me të paktën gjashtë vota minus në votim. Në fund, ligji u miratua me 66 vota pro dhe 62 kundër.

Votave kundër të deputetëve të Partisë Socialiste iu bashkua edhe deputeti demokrat, Gazmend Oketa. Ky i fundit sapo është larguar nga grupi i Partisë Demokratike. Por krahas Oketës, Kryeministri Berisha nuk ka arritur të marrë edhe votat e plota nga kabineti i tij qeveritar. Ishte ministri i Ekonomisë, Nasip Naço ai që ka dalë nga rreshti duke zbatuar rregullin e partisë për të mos mbështetur qeverinë në këtë nisme duke abstenuar. Dy deputetët e PDIU-së ndërkohë votuan pro ndryshimeve ligjore.

Ligji

Por cila është arsyeja e këtyre ndryshimeve dhe si preken para dhe tetraplegjikët si edhe të verbrit nga rregullimet e propozuara nga qeveria? Shtresa e mësipërme përfitojnë subvencione nga buxheti i shtetit për telefoninë, energjinë elektrike dhe transportin urban. Deri më tani, masa e përfitimit që merrte secili prej tyre ishte e parashikuar në ligj dhe institucionet ishin të detyruara që të zbatonin detyrimet ligjore. Me ndryshimet e miratuara dje, masa e përfitimit nuk do të jetë më e përcaktuar në ligj por do të miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të cilët kanë përfituar statusin, përfitojnë kompensim të faturës së energjisë elektrike dhe të faturës së telefonisë fikse. Masa, kriteret dhe procedura e përfitimit të këtij kompensimi financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave,- është një ndër ndryshimet ligjore, të cilat kanë shkaktuar gjithë këtë debat.

Invalidët nga ana e tyre i kundërshtojnë fort këto ndryshime pasi pretendojnë se duke qenë qeveria ajo që përcakton kushtet dhe masën e përfitimit, atyre mund tu ulen subvencionet. Qeveria nga ana e saj, këmbëngul se marrja e një mase të tillë është e domosdoshme pasi zvogëlon abuzimet me këto fondet. Shoqatat e Invalidëve janë ngritur në protesta të vazhdueshme duke kërkuar mosmiratimin e ndryshimeve në fjalë.

Skema e abuzimit që solli ndryshimet

Shkaku kryesor i ndryshimeve tek subvencionet e invalidëve lidhet me abuzimet që janë kryer gjatë këtyre viteve me këtë skemë. Deri më tani, shtresat në fjalë mund të dërgojnë një vërtetim tek CEZ Shpërndarja apo Albtelekom dhe pas regjistrimit përfitojnë automatikisht nga skema e subvencionimit. Një skemë e tillë mund të funksiononte deri në momentin kur kompanitë në fjalë vazhdonin të ishin shtetërore, por jo më tani.

Çfarë ka ndodhur?

Skema e abuzimit me këto fondet është zbardhur disa ditë më parë nga ekspertët e ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Lehtësia për tu përfshirë në skemën e subvencionimit të këtyre shërbimeve në radhë të parë ka rritur ndjeshëm numrin e përfituesve abuziv. Një gjë e tillë, sipas tyre është lejuar edhe nga kompanitë në fjalë, pasi energjia apo impulset e harxhuara paguheshin në pjesën më të madhe të tyre nga shteti dhe ishin para të sigurta. Në këtë mënyrë vijuan ekspertët, kompanitë lejuan abuzimet duke rritur fiktivisht edhe detyrimin që duhej të paguante shteti në emër të invalidëve.

Mësohet se borxhi që ka shteti ndaj CEZ Shpërndarjes dhe Albtelekomit vetëm nga faturat e invalidëve është rreth 3 miliardë lekë. Dy miliardë lekë nga këto janë borxhe për energjinë elektrike kurse pjesa tjetër për telefoninë. Duke parë këtë situatë, ekzekutivi ka parë të arsyeshme që të kufizojë këto përfitime duke përcaktuar kuota fikse për energji, telefoni apo transport për çdo invalid. Por invalidët nuk janë dakord me këtë arsyetim. Sipas tyre, në vend që ti penalizojë të gjithë, qeveria duhet të marrë masat për të evidentuar pikërisht ata që abuzojnë me skemën. Pritet që pas hyrjes së ligjit në fuqi, qeveria të përcaktojë kriteret duke miratuar edhe shumat që do të marrë secili prej tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›