Politika, premtimet, faktet
Dr. Kesiana Lekbello
Eksperienca politike për një popull mbetet gjithmonë fenomen themelor drejt progresit. Për këtë arsye ky proces mbetet një aspekt universal, një ideal konkret, një forcë lëvizëse e fuqishme që lidh dhe forcon më tepër se kurrë raportin popull/politikë. Si rrjedhojë ky raport bën të mundur realizimin e shumë objektivave në të mirën e përgjithshme të vendit. Politika dëgjon popullin dhe vepron në të mirën e tij; kjo duhet të jetë linja e drejtë dhe domethënëse për çdo demokraci që kërkon të funksionojë korrektësisht.
Qëllon ndonjëherë që kjo linjë e drejtë, për arsye të ndryshme, thyhet dhe si rrjedhojë edhe raporti politikë/popull shkëputet e humbet. Mendoj se një fenomen i tillë konstatohet objektivisht tek politika që drejton sot vendin tonë, e cila është shkëputur nga problematikat e popullit duke u marrë me problemet e saj personale. Të gjesh fajtorin në tesutin e kësaj pune nuk kërkon zgjuarsi të veçantë, përkundrazi vihet re gjithmonë e më tepër që politika nuk pranon dobësitë dhe mangësitë e saj, madje vazhdon të përçahet, të ndjehet padrone e pushtetit, të rivlerësohet po nga vetvetja e kështu me rradhë, pra shikohet me keqardhje që është krijuar tashmë prej kohësh një hendek i madh midis popullit dhe politikës.
Ka shumë arsye që puna ka arritur deri këtu: politika ka ditur të përkufizohet me parrulla, fraza dhe propagandë, ndaj ky raport ka hyrë prej kohësh në një krizë të thellë me dëme kolosale siç vërtetohet përditë tek ne. Po të analizojmë me vëmendje problemin kuptojmë menjëherë që sensi orientues i politikës është shumë konfuz, populli kupton atë që i intereson dhe jo atë që politika e shëndoshë duhet ti imponojë. Këtu lindin pyetjet: politika e sotme që udhëheq Shqipërinë e kupton rëndësinë e rrolit të saj drejtues për të mirën e vendit apo interesi personal ka errësuar çdo objektiv drejt së ardhmes? Politika a mban në konsideratë idealin për të cilin ajo ka lindur, kujt dhe përse ajo shërben? Si mund të ringjallet raporti i forcës lëvizëse politik/popull për të çuar përpara këtë Vend?
Pikërisht duke u nisur nga këto pyetje që përbëjnë thelbin e këtij shkrimi do të më pëlqente të ndaloja dhe të kuptoja rëndësinë e raporteve të reja që krijohen në politikë: duket sikur e vetmja rrugë që mund të na shpëtojë nga katastrofa e politikës së vjetër mbetet formimi i partive dhe koalicioneve të reja. Pa u futur aspak në ideologji, sepse nuk më intereson, flas për atë që lexoj dhe dëgjoj, për momentin i jap meritën vetëm kryetarit të PS, i cili është i vetmi drejtues që herë pas here vë në dukje problemet reale të popullit, shtron objektivisht hallet një nga një dhe mbi të gjitha përcakton edhe detyrat që e presin vendin.
Unë nuk kam dëgjuar, të paktën deri më sot, asnjë politikan tjetër që të flasë duke u nisur pikërisht nga ndryshimi i raporteve të politikës me popullin në lidhje me të sotmen dhe të ardhmen e Vendit. Normalisht dëgjoj dhe lexoj që Shqipëria nuk ka krizë, që nuk ka probleme, madje po të jemi të vëmendshëm supozohet edhe rritje punësie…urojmë duke dyshuar. Ndërkohë që politika është në krizë dhe e djathta po shpërbëhet, përse po kërkohet të ndahet ky unitet në forca periferike të djathta? Ndoshta janë taktikat elektorale për 2013, (të kemi arritur deri këtu?) ose ndoshta problemet ekzistojnë me të vërtetë; çdo parti ka problemet e saj, ajo që nuk duket fort normale lidhet me momentin dhe vendosjen e këtyre forcave politike të reja në skenën e politikës shqiptare.
Lexojmë faktet: në deklaratën e tij zt. G.Oketa, në emisionin Tonight në Ora News (data, 24/02/2012) ndër të tjera deklaroi edhe lindjen, së shpejti, të një partie të re të së djathtës brenda muajit Mars, sepse sipas zt. Oketa, Berisha ka mbyllur një cikël. Po ashtu nga ana tjetër dëgjojmë që shumë shpejtë edhe Aleanca Kuqe Zi do të shndërrohet brenda muajit Maj në një parti politike zyrtare të re, ku sipas fjalëve të zt K.Spahiu, citojmë: …Largimi i sulltanëve të politikës, të majtë dhe të djathtë, do ti sjellin shqiptarëve gjakun e ri në politikë (marr nga shtypi më 12/02/2012). Pra, e përmbledhur, kjo është panorama e politikës. Kujtoj që pluralizmi është një ndër kriteret bazë të procesit demokratik, dhe si i tillë respektohet nga unë me dinjitet të plotë.
Problemi që dua të shtroj nuk ka lidhje me lindjen e partive të reja, por problemi i vërtetë shikon nga afër figurën e këtyre partive që pa lindur akoma në vend që ti drejtohen problemeve konkrete të realitetit social të vendit, flasin dhe propagandojnë mbylljen e një cikli dhe gjakun e ri. Të nderuar lexues, a nuk ju duket një histori që po përsëritet, i njëjti film i parë vite më parë me propagandat e Nanos dhe Berishës? Kështu në thelb asgjë nuk ndryshon, ndërsa në sipërfaqe po.
Populli po nuk diti të vlerësojë fjalët dhe premtimet e politikanëve do të mbetet me gisht në gojë. Nuk do të korrë grurë por do të hajë bar, madje edhe të thatë. Nuk di nëse jemi të qartë apo jo. Populli ka nevojë për politikën dhe politikanët, por në demokraci politika dhe politikanët ndërrojnë, i përshtaten kohëve dhe rrethanave, dhe mbi të gjitha fuqisë së votës së popullit sovran.
Çdo popull respekton dhe kupton, përparësitë dhe përpjekjet e politikës drejtuese kur ajo është e drejtë dhe e dobishme, madje me ndërgjegje qytetarët pranojnë edhe sakrificat për të mirën e tyre dhe të fëmijëve. Por nëse populli shikon gjithmonë të njëjtat figura politike drejtuese, të cilat jo vetëm nuk rinovohen por edhe nuk angazhohen të zhvillojnë vendin, sidomos në çështjet themelore për të cilat populli ka nevojë, çna mbetet të mendojmë? Sot e kemi të vështirë të kuptojmë aspektin pozitiv aty ku deri dje me neglizhencë është punuar.
Mendoni sa pak, pothuajse fare, është punuar në drejtim të Shërbimeve Publike në Shqipëri, duke i dhënë përparësi vetëm zhvillimit të shërbimeve private. Pra ajo që ndjehet të mungojë tek ne është pikërisht ky kujdes i politikës për popullin; paçka se do lindin parti të reja, e reja për mua quhet verifikim. Për më tepër si qytetare më intereson të mos dëgjoj më diskutime boshe jo konstruktive; si qytetare nuk më shërbejnë fjalët dhe debatet, por shembujt dhe puna konkrete; si qytetare më shërben më tepër se kurrë vizioni optimist pa premtime dhe konferenca false; më shërben serioziteti dhe urtësia, jo mitingu i radhës që acaron sesa qartëson, më tepër ndez gjakrat sesa i ndërgjegjëson.
Dëshiroj ndryshime rrënjësore drejt shërbimeve sociale dhe drejt të mirave të përgjithshme, më tepër kujdes për çdo sektor publik ku shëndetësia dhe arsimi për popullin të ketë Përparësi, sepse sot triumfojnë format private, kështu kush ka para shërohet dhe kush ka para mëson 7 gjuhë të huaja, pa folur për sektorë të tjerë publik si transporti dhe administrata, ku i pari nuk ekziston dhe i dyti është për miq dhe shokë. Pra nuk më shërben pabarazia, nuk më shërben jo meritokracia, nuk më shërben llafollogjia, dëshiroj të shikoj vendin tim të ndryshuar, ku disiplina, transparenca, puna e ndërgjegjshme dhe korrektësia të mos jenë më utopi, por realitet.
Po të jetë Shteti në rregull në shërbimet kryesore për popullin privati mund të ekzistoj por jo të mbizotërojë, sot tek ne i drejtohemi privatit se tek Shteti kemi Frikë, p.sh të kurohemi apo jo!!!. Këto janë disa nga ato karakteristika për të cilat konkretisht shikojmë që politika ecën dhe mendon për binarin e saj pa fund (kemi nevojë për shkolla e kopshte shtetëror, spitale dhe hekurudha jo për Parlamentin e ri; mbani të vjetrin dhe punoni për NE) ndërsa populli përçapet të gjejë një copë rrugë të vogël me limit të ngushtë për të mbijetuar. Më kujtohen fjalët e Antonio Gramshit, i cili theksonte që : realiteti i secilit nga ne mund të jetë kozmopolitan, politika duke lindur kozmopolitane punon për bashkimin e Atdheut në procesin e së mirës publike.