Përfitoi 14 mijë m2 tokë në Himarë, drejtuesi i komanduar i bashkisë, Arqile Bollano, në filtrin e SPAK-ut

Drejtuesi i komanduar i Bashkisë së Himarës, Arqile Bollano, duket se është tashmë në filtrin e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Kjo për shkak të dosjes hetimore, e cila është transferuar nga Prokuroria e Vlorës në Prokurorinë e Posaçme SPAK.
Hetimi i nisur nga prokuroria e Vlorës ka nisur bazuar mbi disa kallëzime të banorëve të zonës, për tjetërsim pronash. Dosja hetimore e cila pritet të verifikohet nga SPAK, lidhet me një çështje tjetërsimi prone, për 14 mijë m2 tokë me vendndodhje në Himarë, që dyshohet se janë përfituar nga Bollano. Toka u dha në vitin 2015 kur bashkia drejtohej nga Jorgo Goro.
Arqile Bollano e mori detyrën e kryetarit të komanduar të Bashkisë së Himarës në 7 qershor, duke zëvendësuar Blerina Balën, edhe kjo kryetare e komanduar.
Bala u vendos në pozicionin e krye bashkiakes të komanduar, pas arrestimit të Jorgo Goros, ish-krye bashkiakut të Himarës, që mbajti zyrën e kryetarit të Bashkisë, pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri ndodhet në burg i dënuar për “korrupsion zgjedhor”.
/rtsh.al/