E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfituesi i parë i bursës shkollore nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë dha një lajm të bukur për kineastët e rinj shqiptarë.

Për herë të parë QKK financon një bursë shkollore e cila u përfitua nga kineasti Renato Balla. Vendimi u miratua dje nga Komisioni Miratues i Projekteve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në mbështetjen e talenteve të reja shqiptare.

Renato Balla është kineast, fotograf dhe artist vizual, fitues i çmimit të dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue” dhe tashmë është përfituesi i parë i bursës shkollore nga QKK, për të ndjekur vitin e fundit të masterit pranë École Nationale Supérieure de la Photographie (ENSP) në Arles, Francë.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë uroi kineastin e ri për suksese dhe kontribut të vlefshëm në fushën e kinematografisë dhe industrisë së audiovizualit, duke ftuar të tjerë të rinj shqiptarë të vijojnë rrugën e zhvillimit professional. “Së bashku, gjejmë mënyra për ta bërë rrugën drejt dijes më të aksesueshme dhe të qenësishme”, tha QKK.

Më herët, filmi i shkurtër i Ballës, “Sommerkaiser”, u seleksionua në Vienna Shorts, ku fitoi çmimin e dytë në kategorinë speciale “Danube So Blue”. Filmi gjithashtu u vlerësua si “Best in Albanian Short” në Tirana International Film Festival (TIFF).

Renato Balla ka kryer studimet për Regji dhe Televizion pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.

1 nga 3

/j.p/r.e/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›