E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfshirja e romëve, Ksera: Prioriteti ynë



Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, diskutoi dje me përfaqësuesen e PNUD-it dhe koordinatoren e organizatave të OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Cosslett, për zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes Sociale.

Ministri Ksera vlerësoi kontributin e agjencive të OKB-së që veprojnë në Shqipëri në mbështetje të strukturave shtetërore për hartimin dhe zbatimin e politikave eficente në fusha të tilla, si barazia gjinore, dhuna në familje, punësimi i të rinjve, riintegrimi i emigrantëve të kthyer, mbështetja e komunitetit rom, fëmijëve etj. “Ne e vlerësojmë shumë të rëndësishëm projektin e përbashkët për mbështetjen e komunitetit rom, pasi ky projekt është në përputhje me objektivat e qeverisë për mbështetjen e kësaj kategorie dhe një detyrim yni në kuadër të aplikimit të Shqipërisë për në BE”, - u shpreh ministri i Punës.

Zonja Cosslett theksoi se programet e OKB-së në Shqipëri janë në mbështetje të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë për integrimin në BE.

Bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht në bashkëpunimin e Ministrisë së Punës me PNUD-in për ngritjen e Qendrës Kombëtare për Pritjen e Viktimave të Dhunës në Familje, rikonstruksioni i së cilës do të përfundojë së shpejti. Sipas zonjës Cosslett, OKB ka filluar punën për përgatitjen e një dokumenti kuadër për mbështetjen e qeverisë shqiptare në zbatimin e Strategjisë së Përfshirjes Sociale. Mbi bazën e këtij dokumenti, agjencitë e OKB-së do të orientojnë programet dhe fondet e tyre në mbështetje të realizmit të objektivave të kësaj strategjie, nëpërmjet mbështetjes së kategorive të veçanta të përfshira në këtë dokument.

“Unë dhe stafi im jemi të angazhuar që të punojmë për realizimin e detyrimeve tona dhe zbatimi i Strategjisë së Përfshirjes Sociale është një nga më të rëndësishmit”, - u shpreh ministri Ksera

Zvicra, 40 bursa për studentët shqiptarë

Qeveria e Konfederatës Zvicerane ofron për studentët nga vendet e Ballkanit Perëndimor 40 bursa studimi për studime pasuniversitare në universitetet dhe shkollat e larta zvicerane. Ministria e Arsimit dhe Shkencës bën të ditur se këto bursa, ku përfshihen edhe studentët shqiptarë, jepen dhe ofrohen nëpërmjet Komisionit Federal të Bursave për Studentët e Huaj (ESKAS). Aplikimi kryhet pranë ambasadës zvicerane. Dosjet e plota të aplikantëve duhet të dorëzohen pranë ambasadës zvicerane deri në fund të muajit nëntor 2009.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›