Pse vajti Clinton në Kazan?
Vizita e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në Kazan, kryeqendra e Tataristanit, shihet si përpjekje për ta parë Rusinë përtej Moskës. Tataristani është një nga republikat e Federatës Ruse.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në Tataristan, rajon me shumicë myslimane. Burimet e Departamentit të Shtetit pohuan se vizita synon të nënvizojë bashkëpunimin ndërfetar.
Clinton bisedoi me udhëheqësit fetarë të rajonit. Ngushtimi i dallimeve mes besimeve fetare ishte në qendër të takimit.
Për analistët, vizita e Clinton-it është pjesë e diplomacisë së re të Uashingtonit, që ka shumë anë e që dëshiron ta dërgojë mesazhin përtej Kremlinit.
Strategjia e re filloi me vizitën e Presidentit Obama në Moskë në verën e këtij viti, thotë Steven Pifer, ish-diplomat amerikan i specializuar për Rusinë.
“Kjo vë në pah faktin se administrata nuk bisedon thjesht me qeverinë në Moskë, por përfshin në dialog një spektër më të gjerë. Clinton synon të tregojë se pjesë e qasjes ndaj Rusisë është përfshirja e një pjese sa më të madhe të shoqërisë”.
“Të njëjtën gjë bëri dhe Presidenti Obama, kur në korrik mori pjesë në takimin e shoqërisë civile”, - thotë Pifer.
Tataristani është një rajon i pazakontë për Rusinë. Sipas regjistrimit të fundit, 52.9% e popullsisë janë tatarë myslimanë, kurse 39.5% janë ortodoksë rusë.
Nikolas Gvosdev, ekspert i çështjeve ruse dhe i sigurisë në Shtetet e Bashkuara, pohon se nga vizita e Clinton-it, administrata “Obama” do të përfitojë për një hapje më të madhe ndaj botës myslimane.
“Jam i sigurt se vizita është përpjekje që lidhet me bashkekzistencën mes myslimanëve e të krishterëve në Kazan. Ky është një element që Presidenti Shaimijev dëshiron ta vërë në pah. Kemi të bëjmë me një islam të evropianizuar, perëndimor”, - thotë Gvosdev.
Edhe banorët e Kazanit mendojnë se tradita e tyre e bashkëjetesës është një element që ia vlen për t’ia treguar botës.
“Kazani është qytet shumetnik. Besime të ndryshme fetare jetojnë në paqe. Ne i festojmë festat së bashku. Këtu sheh kreun e Kishës Ortodokse, imamin dhe rabinin të ecin së bashku në rrugë”, - thotë për radion “Evropa e lirë”, Mirgalim, një banor 63-vjeçar i Tataristanit.
Me gjithë bashkëjetesën, jo gjithçka është kaq e lehtë. Presidenti i Tataristanit është përpjekur të ketë një kurs politik të pavarur nga Moska për republikën e pasur me naftë e gaz.
Ndonëse gëzon një shkallë autonomie, Kremlini përpiqet të ketë kontroll në Tataristan. Së fundi, e ka detyruar republikën në fjalë ta bëjë rusishten gjuhë zyrtare dhe të japë mësime për kulturën ortodokse në shkollat publike.
Në mesin e banorëve të Kazanit nuk kanë munguar zërat që kërkojnë ndihmën amerikane në raport me Moskën.
“A është e informuar Clinton rreth abuzimeve me të drejtat e njeriut në Rusi? A është e informuar Sekretarja e Shtetit për Ligjin e ri për arsimin, që nuk i lejon fëmijët të mësojnë në gjuhën e tyre amtare? Nëse ajo i di të gjitha këto, çfarë do të bëjnë Shtetet e Bashkuara?”, - pyet në mikrofonin e REL, Bajramova, banore e Kazanit.
Por, eksperti Pifer thotë se vizita e Clinton-it në Kazan nuk është bërë në kundërshtim me Kremlinin.
Gjatë viteve të fundit, kryeqendra e Tataristanit është përpjekur të rrisë profilin e të jetë aktive në botë. Madje, banorët nuk ngurrojnë ta vënë Kazanin në radhën e Moskës dhe Shën Petërsburgut.
“Shkencëtarët amerikanë, që vizituan Kazanin, thanë se u ka bërë përshtypje stabiliteti i rajonit dhe islami tolerant. Nëse i përmblidhni të gjitha, Kazani është kryeqendra e tretë e Rusisë”, - thotë Rafael Khakimov nga Akademia e Shkencave e Tataristanit.