Përfundoi projekti i binjakëzimit me BE-në

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke implementuar projekte të ndryshme për sektorët bujqësor për të cilët Kosova mund të bëjë përparim më të shpejtë, njëri prej këtyre është edhe projekti i binjakëzimit të BE-së, ka thënë ministri i MBZHR-së, Blerand Stavileci.
Ai këto komente i bëri të mërkurën me rastin e takimit përmbyllës për përfundimin e Projektit të Binjakëzimit të BE-së. Gjatë këtij takimi, Stavileci është shprehur se bujqësia është sektor kyç për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në koordinim me asistencën e ofruar nga vendet e BE-së, qeveria e Kosovës përkatësisht MBZHR, sipas ministrit Stavileci është duke implementuar projekte të ndryshme për sektorët bujqësor për zhvillimin e kapaciteteve administrative të cilët përmbushin rekomandimet dhe kërkesat e BE-së me qëllim të absorbimit dhe përdorimin optimal të fondeve të tyre në të ardhmen.
“MBZHR është duke implementuar projekte të ndryshme për sektorët bujqësor për të cilët vendi ynë mund të bëjë përparim më të shpejtë. Njëri prej këtyre projekteve është edhe binjakëzimi me BE-në që sot po e bëjmë të mundur përveç që janë të harmonizuar me nevojat e sektorëve të ndryshëm për zhvillimin e kapaciteteve administrative dhe për arritjen e një sinergjie në mes të komponentëve të zhvillimit, përmbushin edhe rekomandimet dhe kërkesat e BE-së me qëllim të absorbimit dhe përdorimin optimal të fondeve të tyre në të ardhmen”, ka thënë ministri Stavileci.
Duke folur mbi të arriturat e kësaj ministri ai tha se janë bërë shumë zhvillime pozitive në administrimin e sektorit bujqësor veçanërisht në adaptimin e politikave të BE-së, si dhe në aspektin e qasjes dhe zbatimit të tyre.
Ndërsa qëllimi i projektit të binjakëzimit të BE-së, sipas tij ishte fuqizimi i kapacitetit administrativ të MBPZHR-së për t’i realizuar prioritetet afatshkurta të sektorit dhe për t’i reformuar mënyrat e koordinimit, monitorimit dhe menaxhimit të fondeve të zhvillimit rural.
“Qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i kapacitetit administrativ të MBPZHR-së, për t’i realizuar prioritetet afat shkurta të sektorit dhe për t’i reformuar mënyrat e koordinimit, monitorimit dhe menaxhimit të fondeve të zhvillimit rural të cilat vihen në dispozicion përmes zbatimit të MPBZHR-së, si dhe përmes komponentit të ardhshëm të IPA-së për zhvillim rural”, ka shpjeguar Stavileci.
Ndërkaq ka shtuar se pas gjashtë mujorit të vitit do të fillojnë edhe shumë projekte të tjera në mesin e tyre edhe projekti i Bankës Botërore, i cili do të jetë në vlerë prej rreth 20 milionë dollarëve, si dhe shumë projekte të tjera.
Ndërsa, si institucione mbështetëse të projektit kanë qenë Ekipi për Zgjerim dhe Binjakëzim i Komisionit Evropian dhe Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë, me ç’rast kryesuesi i Zyrës Ndërlidhëse Operative të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Bjornson, ka thënë se projekti ka pasur ndikim të madh në shumë mënyra në dy vitet e fundit edhe në afrimin e realizimit të politikave me BE-në edhe për implementim.
“Ne konsiderojmë se bujqësia është sektori kryesor për zhvillimi e ekonomisë se Kosovës, në kuptimin e tregut, prodhimeve vendore, gjithashtu për krijimin e vendeve të punës dhe është një nga sfidat kryesore për integrim, një nga kapitujt më të vështirë në kuptimin e kërkesave institucionale. Ne besojmë se projekti ka pasur ndikim të madh në shumë mënyra në dy vitet e fundit edhe në afrimin e realizimit të politikave me BE-në edhe për implementim”, ka thënë Bjornson.
Projekti i Binjakëzimit të BE-së ka filluar së implementuari në gusht të vitit 2009 në kohëzgjatje prej 21 muajve. Partnerë të binjakëzimit në këtë projekt kanë qenë Ministria Federale e Bujqësisë e Austrisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Hungarisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit e Sllovenisë./kosovapress/