E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diferencë e ngushtë mes dy kandidatëve në Tiranë

Nga Express më 11 maj 2011 në ora 21:55

(E plotësuar) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve jep rezultatet, vijon diferenca e ngushtë mes dy kandidatëve në Tiranë.

KQZ: Janë numëruar 397 kuti votimi nga 485

KQZ: Rama 101 813 vota, Basha 101.067 vota

KQZ: Rama kryeson me 746 vota plus.

Rama 50,3 %, Basha 49,7%, numërimi vazhdon

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Edi Rama vazhdon të jetë në avantazh të ngushtë krahasuar me Lulzim Bashën, kandidatin e PD-së për bashkinë e Tiranës.

Kandidati i PS-së, Edi Rama po avancon me 50.3 për qind të votave, ndaj Lulzim Bashës, kandidat i PD-së, që ka 49.7 për qind të votave. Deri tani janë numëruar 374 kuti prej gjithsej 485 sosh.

Procesi i numërimit po shoqërohet me tensione në disa Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, e në disa të tjera ky proces është bllokuar, siç është ai në njësinë numër 6 në Tiranë.

Gara në Shkodër, Elbasan e Durrës ende vazhdon. Tani epërsi të ndjeshme në bashkinë e Shkodrës ka kandidati i PD-së, Lorenc Luka.

Ndërkohë, në bashkinë e Elbasanit ku garon Qazim Sejdini, ka një epërsi të ndjeshme ndaj kandidatit të mazhorancës, njëkohësisht përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Po kështu edhe në Durrës ka një garë mjaft të fortë mes kandidatit të mazhorancës dhe atij të opozitës, por kryebashkiaku aktual, i cili rikandidon për një mandat të dytë në Durrës dhe që është përfaqësues i opozitës, ka një epërsi të ndjeshme ndaj kandidatit të mazhorancës.

Megjithatë, vihet re një zvarritje në total te Komisionet Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve që kanë mbetur ende pa përfunduar procesin e numërimit, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin.

Madje, në disa Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve procesi i numërimit është bllokuar.

Procesi i numërimit është mbyllur në tri njësi bashkiake – në njësinë numër 1, numër 4 dhe numër 10.

Mbeten ende edhe 8 të tjera për të përfunduar komplet procesi i numërimit të votave në Tiranë.

Nga ecuria e deritashme, dita e sotme nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat përfundimtar për Tiranën, e as për procesin në mbarë vendin. /rel/

Rama vazhdon kryesimin

Janë numëruar 185.733 vota në total/ Rama 92.320 vota, Basha 91.721 vota/ Rama kryeson me 599 vota plus/ Basha 49.56%, Rama 49.88%.

Këto janë rezultatet që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri në orën 16.00 të ditës së sotme, lidhur me procesin e numërimit të votave në kryeqytetin shqiptar.

Rama vazhdon të prijë në Tiranë

Kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, kryeson me 547 vota kundrejt Lulzim Bashës të Partisë Demokratike, në garën për kryetar të Tiranës, sipas rezultateve të fundit të pjesshme të shpallura nga KQZ-ja.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) i Shqipërisë ka njoftuar se nga votat e numëruara nga 357 kuti votimi nga gjithsej 485 sosh, deri në orën 14:45 Rama, ka marrë 90.466 vota, ndërkohë qe 89.924 vota ka Basha.

Ndërkohë që ka përfunduar numërimi në Shijak, Fier, e Korçë ku janë shpallur fitues kandidatët e Partisë Socialiste.

Nuk ka përfunduar numërimi në Shkodër, Elbasan e Durrës, ku në këtë të fundit vijon gara e fortë mes Xhaferrajt e Dakos. Kandidati i PS-së, së fundi, është në epërsi të lehtë ndaj atij të PD-së.

Ashpër për Tiranën

Në Tiranë vazhdoi gjatë gjithë ditës së djeshme lufta e nervave, gjatë numërimit të votave të zgjedhjeve për kryetar të bashkisë, mes kandidatit të PS-së dhe kryetarin aktual të Tiranës, Edi Rama dhe rivalin e tij nga radhët e PD-së, Lulzim Basha, të cilët në vazhdimësi ndërruan vendet, me vazhdimin e procesit të numërimit të votave.

Më herët gjatë ditës, kandidati i Aleancës për Qytetarin për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha deklaroi se fitorja e shumëpritur po merr trajtë në të gjithë vendin, por kërkoi që të bëhet durim deri në numërimin e votës së fundit.

"Duhet respektuar procesi i numërimit. Procesi duhet të vazhdojë qetësisht dhe Tirana dhe qytetarët e saj duhet të krenohen para syve të mbarë botës", tha Basha.

Menjëherë reagoi kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari aktual i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili theksoi se fitorja në të gjithë Shqipërinë dhe në Tiranë i takon së majtës.

Duke folur nga selia e Partisë Socialiste, Rama shprehu bindjen për fitore historike nga komuna e Tropojës, e deri në Sarandë.

Ndërkohë Rama përmendi edhe rastin e KZAZ-së 54, duke shprehur shqetësim për atë që ai e quajti marrjen peng të qendrës së numërimit.

"Njerëzit e dëshpëruar po përpiqen të mbajnë peng qendrën. Saliu e di se çfarë ka në ato kuti ndaj po çon policinë të marrë peng qendrën", tha Rama.

Në ndërkohë, përfundoi numërimi i votave në disa bashki, ku bie në sy fitorja në Kavajë e kandidatit socialist Elis Roshi me 6008 vota, përkundrejt 5128 votave që mori kandidati demokrat Refik Rrugeja.

Kavaja që prej mbajtjes për herë të parë të zgjedhjeve lokale qeverisej nga përfaqësues të Partisë Demokratike.

Vetë Rrugeja, nën siglën e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për qytetarin”, kërkonte mandatin e tretë në krye të Bashkisë së Kavajës.

Partia Socialiste fitoi edhe në Vlorë, ku Shpëtim Gjika ka lënë pas Adrian Kollozin.
Po ashtu ka përfunduar numërimi në Kukës, ku fitues u shpall kandidati demokrat Hasan Halilaj. Edhe në Librazhd e Cërrik kanë fituar kandidatët demokratë, Shefki Çota e Servet Duzha.

Ndërkohë pas përfundimit të numërimit në Kuçovë e Divjakë kanë rezultuar fitues kandidatët socialistë.

Pak minuta më parë përfundoi numërimi edhe në Orikum, Laç e Fushë-Krujë, ku rezultojnë fitues kandidatët socialistë.

Në qytetin e Pogradecit ka përfunduar procesi i numërimit, që ka nxjerrë fitues kandidatin e PS, Shkëmbi me rreth 1800 vota epërsi ndaj Topçiut të LSI-së.

Ndërkohë, në Korçë, ku numërimi ka vijuar me ngadalë, vazhdon të kryesojë Niko Peleshi, me 8630 vota ndaj 7 mijë të kandidatit të Aleancës për Qytetarin, Andrea Mano.
PS ishte duke kryesuar edhe në Durrës, Elbasan, Fier dhe Lushnje, ndërsa kandidati i PD-së kishte një kryesim të dukshëm në qytetin e Shkodrës.

OSBE-ODIHR publikoi raportin e konkluzioneve paraprake për procesin zgjedhor në Shqipëri. Edhe pse nuk iu përgjigjen drejtpërdrejt pyetjes nëse zgjedhjet ishin apo jo brenda standardeve, vëzhguesit thane se zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente dhe se ato u zhvilluan ne një atmosfere mosbesimi nga ana e partive.

Ata theksojnë vonesën në numërimin e votave. Ndryshe nga çfarë ishte parashikuar, vëzhguesit e OSBE-Odihrit do të vazhdojnë te qëndrojnë në Shqipëri edhe për dy javë të tjera, duke shoqëruar edhe përfundimin e te gjithë procesit të numërimit
Në një konferencë për shtyp, shefi i vëzhguesve ka nënvizuar se procesi ka qenë transparent, por ka çaluar në shumë aspekte.

“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe transparente, por me një polarizim të lartë dhe mungesë besimi. Ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, partitë nuk i kryen detyrat, duke ndikuar në mënyrë negative në administrimin e procesit. Ato vazhduan betejën politike.

Deklaratat e tyre, që vinin në dyshim integritetin e zgjedhjeve, vunë në dyshim procesin”, ka deklaruar Jonathan Stonstreet.

Ndërsa aspektet pozitive sipas tij kanë qenë: listat zgjedhore, puna e Kolegjit Zgjedhor për anketa dhe ambienti i krijuar me mediat.

Ndërsa nga ana tjetër, Stonstreet ka vlerësuar se politizimi i procesit ka ndikuar në punën transparente të bërë nga KQZ.

“KQZ funksionoi në mënyrë transparente. Edhe pse pati ndarje të qarta, ai e bëri punën e vetë. Por polarizimi pati ndikim në punën e KQZ, ku diskutimet ishin të ashpra dhe të një natyre politike. Vendimet u morën në bazë të linjave politike, disa prej të cilave u kthyen mbrapsht nga Kolegji Zgjedhor”, ka pohuar Stonstreet.

Më tej shefi i vëzhguesve ka renditur një seri elementesh që cenuan sipas tij procesin zgjedhor të së dielës.

Zgjedhjet lokale në Shqipëri po ndiqen me interes edhe nga mediat ndërkombëtare.

“ANSA” dhe “Corriere della Sera” kanë bërë publike raportin paraprak të OSBE-ODIHR duke theksuar se “zgjedhjet administrative të 8 majit në Shqipëri kanë qenë konkurruese dhe transparente”.

Sipas dy medieve italiane, “zgjedhjet janë zhvilluar në respekt të standardeve të OSBE-së dhe Këshillit të Evropës, por në një atmosferë shumë të polarizuar dhe mosbesimi nga ana e partive”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›