Përfundoi takimi për lëvizje të lirë

(E plotësuar) Ka përfunduar takimi i parë mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë në Bruksel ku është diskutuar për implementimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë.
Burime të KosovaTimes.net bëjnë të ditur se në takimin e paradites, temë e vetme e dialogut ka qenë implementimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë, për të cilën palët janë pajtuar disa muaj më parë.
“Sot pasdite, palët do të vazhdojnë dialogun me tema të tjera të parapara në agjendë. Dialogu është paraparë të vazhdojë edhe nesër”, ka thënë burimi.
Flasin për kufijtë
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë do të diskutojnë sot në Bruksel edhe për çështjen e kufijve. Edita Tahiri beson se zgjidhja do të gjendet te menaxhimi i integruar i kufijve. E, Borko Stefanovic thotë se bazë e marrëveshjes duhet të jenë gjashtë pikat e Ban Ki-Moon’it.
Ndryshe prej gjashtë herëve të tjera, të hënën në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi për herë të parë do të flasin për gjetjen e një zgjidhje për kufijtë mes dy vendeve.
Delegacioni i Kosovës, i cili vazhdimisht ka mohuar diskutimin e temave politike me Serbinë, ka njoftuar se me palën serbe do të diskutojë edhe për menaxhimin e integruar të kufijve. Derisa delegacioni serb ka deklaruar se Serbia është e gatshme të bisedojë për “pikat administrative”, por se çdo zgjidhje duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën serbe, Rezolutën 1244 si dhe gjashtë pikat e Sekretarit të OKB’së, Ban Ki Moon.
Kabineti i Edita Tahirit ka njoftuar të dielën së se ekipi i Kosovës është nisur drejt Brukselit, në përbërje prej 13 zyrtarëve të Qeverisë, për të diskutuar problemin e moszbatimit të marrëveshjeve të mëhershme nga ana e Serbisë, çështja e telekomunikacionit, e energjisë dhe e bashkëpunimit rajonal.
“Pritet të shtrohet çështja e menaxhimit të integruar të kufirit shtetëror mes dy vendeve”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Zëvendëskryeministres Tahiri.
Megjithëkëtë, Shefi i delegacionit serb, Borko Stefanovic ka deklaruar për mediat serbe se do të shkojnë në Bruksel për t’i treguar ekipit të Kosovës se “linjat administrative” nuk do të kenë kurrfarë elementesh shtetërore. Ai ka dërguar porosi në adresë të Edita Tahirit se Serbia nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që legjitimon Shtetin e Kosovës.
“Prishtina insiston që ky të jetë kufi shtetëror, të vendosë flamurin, që të mos lejojë të lëvizin serbët që në automjetet e tyre kanë tabela të Serbisë, dhe këto për ne janë të papranueshme”, ka thënë Stefanovic për Blic.
Dialogu i nisur në prill të këtij viti është ndërprerë në fund të shtatorit, për shkak të shpërthimit të dhunës në pikat kufitare në Veri të Kosovës dhe pasi pala serbe nuk arriti të imponojë temën e kufijve në dialogun teknik.
Para dhjetë ditësh, Lehtësuesi i BE’së në dialogun Kosovë -Serbi, Robert Cooper dërgoi propozimin në Prishtinë dhe Beograd për menaxhimin e integruar të kufijve, por pa dhënë ndonjë sqarim se si do ndodh një gjë e tillë në praktikë.
Kosova i ka thënë po idesë së Cooperit, derisa Serbia ka thënë se gjithçka që e legjitimon shtetin e Kosovës, është e papranueshme për serbët.
Deri më tani, mes Kosovës dhe Serbisë janë arritur disa marrëveshje, por se vetëm një është duke u zbatuar. Lëvizja e lirë e mallrave është duke u zbatuar nga të dyja vendet, derisa lëvizja e lirë e njerëzve, e veturave dhe kthimi i dokumenteve nga regjistri civil dhe kadastral, ende nuk ka ndodhur.
Rrëshqasin në politikë
Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB’së kërkojë nga Prishtina dhe Beogradi të nisin një dialog teknik për zgjidhjen e problemeve praktike.
Në rundin më të ri të dialogut Kosovë- Serbi është paraparë të diskutohet edhe çështje e kufijve dhe kjo për opozitën paraqet tejkalim nga dialogu teknik në atë politik.
Për këtë arsye, Nënkryetari i AAK’së, Ahmeti Isufi kërkon që Kosova të ndërpresë dialogun me Serbinë.
“Ne konsiderojmë se bisedimet duhet të ndërpriten, sepse prej bisedimeve të ashtuquajtura teknike, kanë rrëshqitur në bisedime krejtësisht të hapura politike, edhe pse edhe bisedimet teknike kanë pasur motivacion politik dhe kjo po i sjell dëm Kosovës, pasi po e çon në një rrugë pa krye”, ka thënë Isufi për Express, të dielën.
Ky deputet i AAK’së në Kuvendin e Kosovës ka paralajmëruar se do të kërkojnë nga Edita Tahiri të raportoi në Parlament për procesin e dialogut.
“Ajo nuk ka raportuar në Kuvend, edhe pse e ka pasur obligim ta bëjë një gjë të tillë. Ne do të kërkojmë që ajo të raportoi në Kuvend sepse është detyrim i saj para Kuvendit, edhe në bazë të rezolutës që është nxjerrë për fillimin e bisedimeve”, ka shtuar Isufi.
Edhe Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova kërkon nga që Zëvendëskryeministrja të raportojë në Kuvend për procesin e bisedimeve.
“Qeveria po i bën gati fshehtazi këto biseda, po i bën pa një mandat që ka marrë nga Kuvendi i Kosovës. Edita Tahiri duhet të raportojë ashtu siç e parasheh në rezolutë për çdo tre muaj për rrjedhën e bisedimeve”, ka thënë Nënkryetari i LDK’së.
Sipas tij, me hapjen e temës së kufijve në dialogun teknik në Bruksel, Kosova është futur në dialog politik.
“Ne kemi thënë se duhet të ndërpriten këto bisedime, sepse kemi paralajmëruar se ato do të kalojnë në bisedime politike. Kjo po vërtetohet se tashmë në Bruksel, ku është paralajmëruar se do të ketë bisedime për kufijtë e Kosovës”, ka shtuar ai .
U dështon plani
Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë arritur t’i dalin në pritë delegacionit të Kosovës, i cili është nisur për në Bruksel nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës.
Eskorta e Edita Tahirit me 12 anëtarët e delegacionit është përcjellë nga policë të Kosovës, të cilët kanë ndaluar disa aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët kanë tentuar të pengojnë udhëtimin e zyrtarëve të Qeverisë drejt Brukselit.
“Sepse, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri është më mirë të qëndrojë në Kosovë. Sa herë shkon në Bruksel, ajo kthehet prej andej me premtime të vjetra e me koncesione të reja për Serbinë”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
“Policia e Kosovës që prej mëngjesit, ka qenë duke patrulluar rrugën nga do të kalonte Edita Tahiri, e mobilizuar për ta mbrojtur atë prej protestave të qytetarëve. Duke mbrojtur Edita Tahirin, në fakt është mbrojtur kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës, një kompromis që mund të tregtohet në Bruksel, por që në popull nuk do të kalojë”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.