Thellojnë konfuzionin

Kanë kaluar shtatë muaj që kur tri nga partitë më të mëdha në Kosovë kanë arritur një marrëveshje të përbashkët rreth zgjedhjes së Presidentit.
Mirëpo, ende pa u zbatuar ajo marrëveshje, Partia Demokratike ka lënë të hapur mundësinë e ndryshimit të saj.
Zëvendëskryeministri si dhe Ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi është deklaruar të dielën gjatë inspektimit të provimit të Jurisprudencës, se edhe kjo marrëveshje mund të evoluojë ashtu si vetë jeta.
“Jeta është më evolutive sesa marrëveshja, ndaj nëse mund të ketë ndryshime pozitive të situatës, edhe marrëveshja mund të ndryshojë. Nëse ka evolucion në këtë vend, zhvillohen gjërat pozitivisht, jam i gatshëm për çdo gjë”, tha Kuçi.
Sipas tij, është bërë shumë zhurmë rreth marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti me Lidhjen Demokratike dhe Aleancën Kosova e Re, të cilën thotë se do ta respektojnë.
“Është bërë shumë zhurmë për këtë marrëveshje. Partia Demokratike e Kosovës, po e them si Zëvendëskryeministër, çdo marrëveshje që kemi arritur deri tani e kemi respektuar dhe do ta respektojmë edhe këtë, dhe do ta respektojmë çdo marrëveshje eventuale të arritur në këtë vend”, tha Kuçi.
Pikërisht respektimi i marrëveshjes është kërkuar edhe nga LDK’ja dhe AKR’ja.
Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa ka deklaruar se partia që ai drejton është kundër shtyrjes së zgjedhjeve presidenciale dhe ka kërkuar që partitë t’i përmbahen marrëveshjes së arritur në prill të këtij viti.
Atëherë PDK’ja, LDK’ja dhe AKR’ja patën arritur një konsensus për ndryshime të nevojshme kushtetuese që do të krijonin rrethanën për zgjedhje të presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli.
Për këto ndryshime, u themelua, ad hoc, Komisioni për Amandamentime Kushtetuese, i cili kishte marrë një mandat nëntëmujor që të përfundojë rishikimin e neneve që kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit.
Ndërkohë që kryesuesi i këtij Komisioni, Arsim Bajrami, ditë më parë ka deklaruar se janë në përfundim të punës. Bajrami ka dhënë 20 dhjetorin e këtij viti, si datë të përfundimit të punës së atij komisioni.
Sipas kësaj, zgjedhjet presidenciale mund të mbahen në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, ashtu edhe siç qenë dakorduar partitë në bazë të marrëveshjes së prillit.
Ndërsa, zyrtarë të PDK’së tashmë janë deklaruar që zgjedhjet presidenciale të mbahen së bashku me ato parlamentare në 2013’ën.
Kjo ngase, Qeveria e Kosovës qenka e përkushtuar për të mos shpenzuar dy herë buxhetin e Kosovës për zgjedhje.
Mirëpo, zyrtarë të AKR’së, ashtu sikurse ata të LDK’së, janë shprehur kundër asaj date.
Për Ibrahim Makollin, nuk ka logjikë që të lidhet një marrëveshje nëse ajo nuk respektohet.
“Marrëveshjet janë marrëveshje dhe duhet të respektohen, nëse ato nuk respektohen, atëherë nuk e di cila është arsyeja e lidhjes së tyre”.
Makolli tha se AKR’ja është pro asaj që zgjedhjet presidenciale të mbahen në vitin e ardhshëm.
“Çdo parti ka të drejtë ta thotë mendimin saj, mirëpo kur ajo ka një marrëveshje me një tjetër, duhet ta mbajë dhe unë besoj shumë se kjo do të ndodhë për shkak se e kundërta do të shpaloste edhe shumë çështje të tjera dhe nuk do të arrihet asnjë konsensus”, tha Makolli, për Express, pa konkretizuar se cilat çështje do të mund të shpaloseshin.
Sipas tij, çdo shkelje eventuale e marrëveshjes do të ishte në kundërshtim me demokracinë në vend.