E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë hetimet ndaj një të akuzuari për trafik armësh

Burime nga prokuroria pohuan se dosja penale në ngarkim të shtetasit Mehmet Zharkut, i cili akuzohet për "trafik të armëve dhe municioneve luftarake", do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda 

TIRANE -Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka dhënë fund hetimeve ndaj shtetasit që dyshohet se trafikonte armë nga Kosova në Shqipëri. Burime pranë kësaj prokurorie bënë të ditur se dosja penale në ngarkim të Mehmet Zharkut, i cili akuzohet për "trafik të armëve dhe municioneve luftarake", do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Krimeve të Rënda.
Mehmet Zharku, 33 vjeç është arrestuar në muajin maj të këtij viti në Tiranë gjatë operacionit të koduar “Morina”. Gjatë këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale me 74 pistoleta të llojeve “Minizastava” dhe “Bereta”, 120 granata dore, 6 predha antitank, nje granathedhes, 120 ndezes dhe 150 cope fisheke te llojeve te ndryshme. Hetimet e prokurorisë mbi këtë çështje konkluduan se, armët kishin ardhur nga Kosova dhe ishin destinuar për tu tregtuar në vendin tonë. Shtetasi Mehmet Zharku u kap nga policia bashke me njetin nga vellezerit e tij prane Farmacise numer 10 ne Tirane. Gjykata dha masat paraprake të arrestit ku caktoi burg pa afat për Mehmetin, kurse vëllane e tij Halit Zharku, 37 vjec u dha masa e sigurise “detyrim me paraqitje”. Sipas te dhenave nga gjykata Mehmet Zharku, 33 vjec mori persiper gjithe pergjegjesite duke deklaruar se ishte i vetem pjesetar ne trafikun e armeve duke liruar nga akuzat vellane tij. Dy vellezerit ishin nen hetim prej tre muajsh. Ata dyshoheshin se mblidhnin arme dhe fisheke ne zona te ndryshme te vendit kundrejt shumave 100-5000 euro per cope. Policia dyshon se armet dhe municionet siguroheshin kryesisht ne Kosove, Kukes e Tropoje dhe me pas silleshin ne Tirane ku kontaktoheshin me bleresit kryesore

Gjatë këtij viti, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka organizuar disa operacione në kuadër të luftës kundër trafikut të armëve, duke sekuestruar dhjetra armë kryesisht të kalibrit të vogël si pistoleta dhe ka arrestuar disa persona të dyshuar si përgjegjës për këtë veprimtari ilegale.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›