E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundojnë kërkimet për Airbusin e rrëzuar mbi oqean



Pas dhjetë muajsh përpjekjesh të pandërprera, kanë përfunduar ditën e shtunë kërkimet e avionit Airbus të kompanisë Air France që u rrëzua në Oqeanin Atlantik në qershor të vitit të kaluar. Lajmi u bë i ditur nga "Zyra franceze e Hetimeve dhe Analizave", sipas të cilës dy anijet që operojnë në zonë do të rikthehen ditën e dielë në portin brazilian të Recifes për një ndalesë teknike. Enti francez njoftoi se më 4 maj do të publikojë një raport të detajuar për kërkimet e kutive të zeza që përfunduan pa rezultat.
Nga qershori i kaluar, dy anijet, Seabed Worker dhe Anne Candies, të shoqëruara nga dy nëndetëse që janë zhytur rreth 40 herë, kanë kërkuar në fundin e detit një zonë prej rreth tre mijë kilometrash katrorë. Operacionet e kërkimit do të përfundojnë sepse tashmë janë shpenzuar të 10 milionë dollarët që u financuar për këtë çështje. Nëse Airbus dhe Air France nuk do të japin më para për vazhdimin e kërkimeve, atëherë për incidentin që shkaktoi vdekjen e 228 personave do të mbeten vetëm hipotezat e formuluara mbi bazën e mbetjeve të avionit dhe trupave që u gjetën menjëherë pas tragjedisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›