Përfundojnë punimet në lotin 3 të segmentit rrugor Porto Romano – Durrës

TIRANË, 26 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama njofton se kanë përfunduar punimet në lotin 3 të segmentit rrugor Porto Romano-Durrës.
Rama njofton se ky segment rrugor lehtëson qarkullimin e mjeteve drejt Parkut Energjetik, portit industrial të Porto Romanos dhe zonave të tjera ekonomike.
“Punimet për segmentin rrugor Porto Romano – Durrës, loti 3, kanë përfunduar plotësisht. Ky segment mundëson lehtësimin e qarkullimit të mjeteve drejt Parkut Energjetik, portit industrial të Porto Romanos dhe zonave të tjera ekonomike”, përfundon Rama.
Loti 3 i kantierit Porto Romano-Durrës, është vepër rrugore që lidh zonën e Porto Romanos me segmentin Tiranë-Durrës, në daljen e Shkozetit, duke shmangur trafikun brenda qytetit të Durrësit.
Porto-Romano do të bëhet porti më i madh detar i Shqipërisë, duke ofruar një strukturë mallrash të klasit botëror për bizneset e rajonit dhe duke shtrirë përfitimet ekonomike në të gjithë Evropën Juglindore.
Porti i ri në Durrësit në Porto-Romano, i integruar me projektin e hekurudhës Durrës–Prishtinë, portin e thatë në Prishtinë dhe portin e thatë në Strugë, përveç rritjes së bashkëpunimit mes vendeve, pritet të kthejë Durrësin në një nga portat strategjike të ekonomisë së Mesdheut.
1 nga 4/r.e/