Rritje page për drejtues dhe nëpunës në disa institucione qendrore

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa dhe ndryshime në vendimin “Për miratimin e strukturës së pagave, niveleve të pagave dhe shtesave të tjera mbi pagë të zëvendësministrit, funksionarëve të kabineteve, prefektit, nënprefektit, nëpunësve civilë dhe nëpunësve në disa institucione të administratës publike”.
Konkretisht në ministrinë përgjegjëse për Financat përfitojnë: në masën 24 000 lekë në muaj nëpunësit në pozicionet: “drejtor i përgjithshëm” në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet rregullatore dhe përputhshmërinë dhe në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin.
Po ashtu në të njëjtën masë do të përfitojnë edhe pozicionet: “drejtor drejtorie” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
Në masën 20 000 lekë në muaj përfitojnë nëpunësit në pozicionet: “përgjegjës sektori” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit; “përgjegjës sektori” në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
Në masën 15 000 lekë në muaj përfitojnë nëpunësit në pozicionet: “koordinator” dhe “specialist” në njësitë përgjegjëse për planifikimin dhe monitorimin e buxhetit qendror e vendor të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit; “specialist” në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e programimit makroekonomik dhe fiskal, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për borxhin, në drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për politikat tatimore dhe në drejtorinë përgjegjëse për programimin, standardizimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator.
Në masën 10 000 lekë në muaj përfitojnë nëpunësit në njësitë e tjera organizative të përmbajtjes.
Ndërsa në ministrinë përgjegjëse për Ekonominë, përfitojnë rritje në masën 10 000 lekë në muaj për nëpunësit në pozicionet “drejtor i përgjithshëm”, “drejtor drejtorie”, “përgjegjës sektori” dhe “specialist” në: drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për pronën shtetërore; drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e nxitjes së biznesit dhe të tregtisë; drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për analizat ekonomike; drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për çështjet e punësimit; drejtorinë e përgjithshme përgjegjëse për inovacionin; drejtorinë përgjegjëse për çështjet e strehimit”.
Departamenti i Administratës Publike ngarkohet për mbështetjen dhe sqarimin ndaj institucioneve, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e klasave të pagave deri në momentin e miratimit të strukturave dhe organikave të reja.
Institucionet e administratës publike, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi duhet të propozojnë deri më 20 korrik 2024, sipas legjislacionit në fuqi, ndryshimet në strukturat dhe në organikat ekzistuese të degëve territoriale për përshtatjen e tyre sipas klasave të pagave, të përcaktuara në këtë vendim.
/m.m/r.e/