Përfundon GostivART

Nën moton “Gostivari qytet i miqve”, në Gostivar u mbajt kolonia artistike GostivART, pjesë e së cilës ishin mbi 30 artistë figurativë nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria. Në kuadër të këtij manifestimi kulturor u bë edhe promovimi i albumit të Duo Skupi – Jeta Starova Mehmeti (flaut) dhe Ermal Mehmeti (violinë), dhe u organizua kolonia e artistëve të vegjël, me moton “Gostivari në imagjinatën e fëmijëve”.
Manifestimi GostivART, u përmbyll të hënën, me ekspozitën e punimeve të realizuara nga artistët figurativë dhe nga nxënësit e shkollës fillore ‘Bashkimi’, nga Gostivari.
Në shenjë falënderimi për pjesëmarrje në koloninë artistike mbarëkombëtare “Gostivari, qyteti i miqve”, organizatori - Kuvendi Komunal i Gostivarit - ndau mirënjohje për pjesëmarrës. Në mesin e artistëve pjesëmarrës ishte edhe Saimir Strati, që, falë mozaikëve të tij gjigantë, është artisti i vetëm shqiptar që është pjesë e Librit të Guiness’it.