Legear, skandal me makinë

Futbollisti belg, Jonathan Legear është duke u përballur me gjyqin, pas një skandali me makinën e tij të tipit Porsche, me të cilën u përplas me një karburant, teksa ishte në gjendje të dehur.
Xhirimet e sigurimit tregojnë se vetura e mesfushorit belg hapi dyert e vetëshërbimit pranë pompës së benzinës, në qytetin belg Tongeren, duke marrë me vete disa produkte ushqimi dhe pijesh, para se ta godiste klientin Jeffrey Dewallef, që kërceu mbi veturë, e cila më pas u ndal.
Zëdhënësi i gjyqit, Michel Zegers thotë se mesfushori, i cili luan në ekipin rus, Terek Grozny, i cili ka zhvilluar dy ndeshje me përfaqësuesen belge, do të jetë i ngarkuar për sulm të pavullnetshëm, pasi me gjasë ishte në gjendje të dehur.
Zegers thotë se nuk ekzistojnë arsye që të ndalohet Leegar të rikthehet në Grozny, përderisa ai nuk do të vozisë vetë. Përmes avokatit të tij, Legear ka kërkuar falje ndaj të gjithë atyre që kanë qenë direkt apo indirekt të prekur nga ajo që ka ndodhur. “Do t’i pranoj të gjitha përgjegjësitë e aksidentit në gjyq”, ka thënë futbollisti, i cili nuk e pranoi se ishte i dehur rëndë në atë rast.
Leegarit i janë marrë dokumentet e veturës dhe nuk do të ketë të drejtë të vozisë personalisht për dy javë. Pronari i vetëshërbimit thotë se nga hetimet e para, dëmet që janë shkaktuar në lokalin e tij, kapin shifrën e 260 mijë eurosh.
Pa përmendur dëmtimin e veturës luksoze Porsche, kjo sigurisht ishte një natë e kushtueshme për 25-vjeçarin, i cili lëvizi drejt Groznyt, vitin e kaluar.
Kamerat e sigurimit treguan se vetura e Leegarit po voziste me një shpejtësi të lartë, para se të merrte me vete gjithçka shihte përpara, duke përfshirë këtu edhe blerësin Dewallef, i cili e përshkroi ngjarjen e tmerrshme.
“Lëndimet kanë të bëjnë me gërvishtje, por unë po ashtu kam përdredhur nyjën e këmbës”, ka thënë Dewallef, për një televizion lokal. Legear mund të kalojë kohë në burg për këtë rast, ndërsa mund t’i merret edhe patentë shoferi.