E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon Konferenca e OKB-së, lind "Fryma e Tiranës"

Ka përfunduar Konferenca e Pestë Ndërqeveritare për Reformën "Një OKB"e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Tiranë, e cila nën drejtimin e Shqipërisë arriti konsensus në propozimin për reformimin e OKB-së, reformim prej kohësh i domosdoshëm. Nga përgatitja e mirë e propozimeve dhe drejtimi i mirë i konferencës u arrit një mbështetje e plotë nga gjithë vendet pjesëmarrëse nga ato donatore, te vendet pilote të këtij projekti, sa dhe Franca e quajti arritjen e konsensusit Fryma e Tiranës (L`esprit de Tirana).
 

Konferenca e OKB-së në Tiranë, e para e dimensionit global që mbahet në kryeqytetin shqiptar, ra dakord për rekomandime të qarta për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Z. Ban Ki-moon, që të iniciojë procesi i reformës faktike, në të gjitha agjencitë e kësaj organizate, në javët e muajt e ardhshëm.
 

300 përfaqësues nga 40 vende te globit u mblodhën nga data 27-29 qershor 2012 për të marrë pjesë në Konferencën e organizuar nga Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkura në Shqipëri.
Konferenca, që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, u përshëndet në ditën e parë të saj nga Kryeministri i vendit z. Sali Berisha dhe Znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së (ish kryeministre e Zelandës së Re).
 

Për organizimin e konferencës, u ngrit një grup ndërinstitucional pune, i kryesuar nga Ministri për Inovacionin dhe TIK z. Genc Pollo, i cili çeli siparin e konferencës.

Synimi i organizimit të konferencës ishte përmirësimi i efektshmërisë së sistemit të Kombeve të Bashkuara si dhe një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja Një OKB. Në ditën e fundit të konferencës u dakordësua mbi dy dokumente kryesore të cilat japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet:
 

Vendet pjesëmarrëse ranë dakord mbi një qëndrim të përbashkët që, elementë kyç të nismës Një OKB, t`i paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012.
U identifikuan dhe njohën praktikat më të mira të nismës Një OKB ndër të cilat edhe shembulli i Shqipërisë si një histori suksesi dhe arritja e konsesusit e pagëzuar nga pjesëmarrësit si Fryma e Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›