Përfundon Samiti Ndërkombëtar i Gruas në Prishtinë

Ka përfunduar punimet Samiti Ndërkombëtar i Gruas me temë “Partneriteti për ndryshim - fuqizimi i gruas” në të cilin, për tri ditë radhazi, u diskutua për mënyrën e fuqizimit të gruas në të gjitha sferat, e me theks të veçantë në barazinë gjinore. Ky Samit në të cilin morën pjesë shumë personalitete të njohura ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ish sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, ambasadorja e SHBA-ve për Çështje Globale të Grave, Melanne Verveer, ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, etj, u organizua nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me mbështetjen e USAID-it dhe NDI-së.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në fjalën përmbyllëse të këtij Samiti, ka parë të arsyeshme që Samite të tilla të ndodhin sa më shpesh, pasi që, sipas saj, ndikojnë në zhvillimin dhe avancimin e mëtejshem të gruas në shoqëri.
“Ka ardhur koha që të mbyllim punën e këtij samiti në të cilin kishim shkëmbime të shkëlqyeshme, diskutime produktive, informata të veçanta ku ne gratë edhe një herë bashkuam zërat që të vazhdojmë angazhimin tonë rreth fuqizimit të gruas. Është obligim i ynë, si liderë që të ngrisim zërin tonë dhe të bëhemi zëri i të gjitha grave i shoqërive tona dhe kudo në botë, ku do që drejtat e tyre janë të mohuara. Ne kemi përcaktuar gjendjen se ku qëndrojmë si individë, si udhëheqës, si institucione, si rajon, në çështjen e barazisë gjinore që në thelb tregon se sa e plotë është demokracia jonë”, ka thënë ajo.
Përfaqësuese vendase e ndërkombëtare, thanë në Prishtinë se pa përfshirjen e plotë të grave, demokracia në asnjë vend nuk është e mundur dhe se politikat që trajtojnë pozitën e gruas janë sprovë e seriozitetit dhe parametër matës për orientimin drejt së ardhmes së një vendi.