Përfundon edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Dancit në Elbasan
Festivali Ndërkombëtar i Dancit në qytetin e Elbasanit ka ulur siparin mbrëmjen e së shtunës, pas pesë ditëve konkurrim. Gjergj Prevazi u vlerësua me çmimin e parë për krijimtarinë koreografike dhe balerini Elton Çefa si interpretuesi më i mirë i festivalit mbarëkombëtar "Skampa Dance Competition". "Ky çmim i dedikohet atij brezi të pas viteve ‘90, të cilët me mundin e tyre i dhanë koreografisë shqiptare një frymëmarrje bashkëkohore", ka thënë koreografi Gjergj Prevazi. Në ceremoninë e mbylljes së këtij aktiviteti pesëditor, juria e përbërë nga Agron Aliaj, Albert Janku, Tomorr Kokona, Leonard Ajku, solist në Amerikë dhe Erisa Gina, soliste e Teatrit të Operës, i dha çmimin e parë koreografit Gjergj Prevazi, i cili u paraqit në këtë festival me dy pjesë koreografike, "Parfumi", interpretuar nga "Albania Dance Teatër", dhe me "Performancë" interpretuar nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës. Çmimin e dytë për krijimtarinë koreografike e mori Artan Ibërshimi me "Paganini" dhe çmimin e tretë koreografia Elda Logu me veprën "Reflection". Tri çmime janë shpërndarë edhe për interpretuesit më të mirë, ku të parin e ka marrë solisti i trupës " Albania Dance Teatër", Elton Çefa, çmimin e dytë balerina Elda Logu, ndërsa çmimin e tretë balerini Besmir Skura. Kryetari i jurisë, Agron Aliaj, vlerësoi festivalin dhe trupat pjesëmarrëse dhe veçanërisht artistët e rinj të baletit. Natën e fundit të festivalit "Skampa Dance Competition" u ngjitën në skenë për të performuar dy balerinët e trupës së baletit të Holandës, "Netherland Dance Theater". Në këtë edicion morën pjesë nëntë trupa, mes tyre edhe Teatri i Operës dhe Baletit, i cili përshëndeti shfaqjen, si dhe trupat e Akademisë së Arteve në Tiranë, "The new choreographic generation" (Gjenerata e re koreografike), Teatri i Kërcimit Shqiptar, "Kompania 3d-3 dinamiche Itali", Baleti Nacional i Kosovës, si dhe "Natherland Dance Theater".
B. Dybeli
B. Dybeli