E Diel, 1 Nëntor 2026

Guillermo Rosales: Mes dy skëterrave

Nganjëherë, ndërsa hyjmë në një librari për të parë botimet e reja apo dhe thjesht për të zgjedhur një klasik të harruar ndër rafte, këmbët na ndalin vetvetiu, pa ndonjë shpjegim të mundshëm, përballë një libri që kureshtja na bën t‘ia lexojmë fjalitë e para: "Mbi fasadën e shtëpisë, mund të lexohej ‘boarding home‘, por e dija se ky do të ishte varri im. Ishte një nga ato strehët e pista, ku përfundojnë njerëzit që i ka dënuar jeta. Shumica të çmendur. Por edhe pleq të braktisur nga familjet e tyre, të braktisur për të vdekur nga vetmia dhe për të mos ua nxirë jetën fitimtarëve". Atëherë, vetvetiu, një shtytje e brendshme, e pakuptueshme dhe e papërballueshme, na thotë se ne kemi gjetur pikërisht librin që na duhej. Dhe themi me vete se ky ishte libri që po kërkoja. Kjo nuk ndodh aq shpesh. Duhet një Guillermo Rosales që të ndodhë kjo.

Shtëpia botuese "Tirana Times" ka sjellë para ca ditësh, në shqip, një libër që do të mbahet mend gjatë. Një histori që do të na ndjekë nga pas, që do ta mbartim me vete ngado që të shkojmë. Bëhet fjalë për "Engjëlli im" të shkrimtarit kuban Guillermo Rosales.

Sapo të kthejmë faqen e parë, ne e shohim veten të qepur pas fjalëve të lodhura, të zhgënjyera, të shkëputura nga toka, të një shkrimtari kuban, William Figueras, të mërguar në Amerikë në kërkim të lirisë aq shumë të munguar në Kubë. Ish-revolucionar, ish-mbështetës i Fidel Kastros, shkrimtari tridhjetetetëvjeçar është zgjuar shumë shpejt nga gjumi mashtrues i komunizmit. Ai ka parë se ç‘bën një sistem totalitar, ku e drejta e fjalës është flijuar në zjarrin e revolucionit. Është i bukur një revolucion proletar. Po, është i bukur. Aty ndihemi të lirë, të pushtetshëm, jemi duke përmbysur diçka të vjetër, diçka penguese, jemi duke vendosur një ardhmëri të re, të shndritshme, ku të gjithë do të gjejnë lumturinë e vërtetë. Por pas hovit të parë, vjen periudha e zhgënjimit kur marrim vesh se revolucioni ynë proletar është ngritur mbi një mal mashtrimesh dhe gënjeshtrash, ku mizoritë e djeshme do t‘ua lëshojnë vendin atyre të sotme, ku nuk do të jemi as të aftë të ngremë zërin tonë mbi pushkatimet dhe burgimet e po atyre që, deri dje, ishin në krahun tonë. Ǒtë bëhet? Si të dilet nga kjo vorbull e tmerrshme, ku një revolucionar bie pre e makinës çnjerëzore të vetë revolucionarit. Të ikësh, të ikësh sa më parë! Në një vend të lirë, në një vend përballë, simbol i lirisë në mbarë botën, Amerikë! Dhe Amerika e begatë është e gatshme të presë këdo në krahët e saj… shtrëngues. Në një gjendje tashmë të rënduar nervore, Figueras u beson iluzioneve të tij, mendon se është në vendin e lirisë, ku ai do të mund të përcjellë një jetë si gjithë të tjerët. Por ç‘zhgënjim, përsëri! Të afërmit e tij, të vendosur më parë në SHBA, nuk duan t‘ia dinë për një tip gjysmë të çmendur, të dobësuar e të skeletosur, që ngado ku shkon, një libër nuk i ndahet nga dora. Ata duan një kushëri të fortë, të bukur, që të dijë t‘u pëlqejë femrave, të dijë të bëjë tregti, të dijë të krekoset me një varëse ari në qafë, ndërsa nget makinën e fundit në modë. Vetëm një hallë Klotilda orvatet të kujdeset pak për të, por në krye të ca muajve, ajo merr përfundimisht vendimin fatal: nipi i saj, William Figueras, duhet ta kalojë jetën e tij në një azil.

Dhe ja tek hapen dyert e ferrit, ku personazhet janë njëri më i çmendur se tjetri. Shkrimtari fillon të na përshkruajë vendet, të na njohë me banorët e tjerë, me drejtorin, me shokun e dhomës, me dhunën që shpërthen gjithandej. Në azil, ai e ndien shumë shpejt këtë, nuk ka kurrfarë ndjenje njerëzore, të gjithë banorët janë të shfazuar, të shkëputur nga bota, të gjithë janë të mbyllur në kujtimet e tyre që u ngatërrohen nëpër kokë. Shkrimtari e ndien që në fillim: ky është vendi i vdekjes së tij. Por ja, ja që shpresa është ende gjallë: një ditë, një engjëll, Francine, vjen në azil. Ajo nuk di të thotë tjetër veç "po, po". Figueras mendon se jeta po i buzëqesh më në fund. Dëshiron të jetë i lirë… të fluturojë me engjëllin e tij të pambrojtur…

Lindur më 1946, në kryeqytetin kuban, Havanë, Guillermo Rosales bie shumë shpejt në sy si një ndër romancierët më të mirë. Romani i tij i parë "Loja e violonçelit" është fitues i çmimit të njohur "Casa de las Americas", por ai nuk botohet: rendi moral dhe politik sundon mbi gjithçka. Atëherë ai fillon të shkruajë për një rreth miqsh të ngushtë. Nuk merr pjesë në asnjë organizëm kontrolli letrar. Dikur revolucionar, tani reaksionar. Carlos Victoria, shkrimtar dhe mik i Rosales, i shpërngulur gjithashtu në Majami, thotë për të: "Rosales ishte nga natyra një rebel dhe anarkist". Në romanin e tij "Përpara natës", Reinaldo Arenas, gjithashtu mik dhe shkrimtar i njohur kuban, thotë: "Guillermo donte të ikte nga ishulli, qoftë dhe me balonë; ai kishte gjithmonë plane të pabesueshme: të ikte mbi një varkë të tërhequr nga peshq të shpejtë, të maskohej si Nicolas Guillén për të dalë jashtë shtetit". (Asokohe, vetëm ky i fundit kishte të drejtë të dilte jashtë shtetit si shkrimtar). Më 1979, ai arrin ta lërë Kubën nëpërmjet Spanjës dhe vendoset në Majami. I ati, e ëma dhe e motra kanë mbetur në Kubë. Vetmia s‘bën gjë tjetër veçse e acaron gjendjen e tij depresive. Në një novelë të papërkthyer, "Ylli kalimtar", Carlos Victoria ndërton portretin e Rosales: "Ai nuk e ushqente urrejtjen, por ishte urrejtja që e ushqente atë. Urrejtja e bënte që të dëgjonte zëra, të shihte një armik prapa çdo fytyre, të dëgjonte një sharje prapa çdo fjale. Nga urrejtja, ai u dobësua aq shumë, derisa u kthye në një mbeturinë njerëzore, vështrimi plot përbuzje i të cilit të tmerronte". Dhe është urrejtja ajo që e ka shkruar këtë libër, Engjëlli im. Në fare pak faqe, të gjithë kanë mundur të shohin ç‘kanë dashur: kubanët e arratisur - një kritikë të revolucionit kuban, komunistët - një kritikë të sistemit amerikan. Më 1990, ai del nga azili dhe zë një dhomë në një ndërtesë publike për të varfër. Vizitat janë të rralla. Fillon të vuajë nga deliri i persekutimit. Miku i tij i ngushtë, Reinaldo Arenas, i prekur nga SIDA, vret veten po atë vit në Nju Jork. Tre vjet më vonë, Guillermo Rosales vret veten në Majami. E ëma dhe e motra mbërrijnë në SHBA një vit më pas. Kështu mbyllet jeta e njërit prej shkrimtarëve më të talentuar kubanë, që shprehej: "Nuk jam një i dëbuar politik, jam një i dëbuar total".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›