E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurimit, Begaj: Prioritet, rishikimi i dokumenteve strategjike në fushën e mbrojtjes

Teksa ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Presidenti i vendit, Bajram Begaj ka kërkuar që të trajtohen me prioritet procesi i rishikimit dhe hartimit të dokumentave strategjikë, Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, dokumentave strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, emergjencave civile, si dhe strategjive sektoriale.

“Këto dokumenta nuk duhet të jenë thjesht dokumenta formalë, duhet të jenë të mirëbuxhetuara dhe sigurojnë përdorimin në mënyrë të koordinuar dhe harmonizuar të instrumentave të fuqisë kombëtare në garantimin e sigurisë, nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, rrisin mirëqënien e qytetarëve, dhe sigurojnë mbrojtjen e vlerave dhe interesave kombëtar të Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar presidenti.

Begaj vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim dhe angazhimin e të gjitha institucioneve për garantimin e sigurisë kombëtare në fushën e tyre të përgjegjësisë.

Po ashtu si të rëndësishëm konsideroi eshe bashkërendimin, përpjekjet dhe sigurimin e gjithpërfshirjes institucionale, përdorimit efikas të burimeve kombëtare dhe kërkimit të kontributit të çdo qytetari në funksion të sigurisë kombëtare.

Në mbledhje morën pjesë ministrat e qeverisë, ndërsa opozita u përfaqësua nga  zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë, Ferdinant Xhaferraj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›