E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

21 janari/ Balla: SPAK të marrë dosjen e Aleks Nikës, prova e re audio tregon se komandanti i Gardës urdhëroi vrasjet

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i ka bërë thirrje SPAK të marrë në gjykim dosjen e 21 Janarit dhe të mos lejojë që ajo “të fle” në sirtarët e Prokurorisë së Tiranës, por të nis hetimin e fakteve të reja.

Referuar provave të reja audio ku pretendohet së janë marrë nga radiot e Gardës së Republikës, Balla thotë se kjo provon se komandanti i Gardës, Ndrea Prendi urdhëroi vrasjet në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

“I kam kërkuar drejtuesit të SPAK për tërheqjen e kësaj dosjeje nga prokuroria e Tiranës. Ne kemi kërkuar shpalljen e moskompetencës së prokuroria së Tiranës për dosjen e Aleks Nikës dhe kalimin e kësaj dosjeje te Prokuroria e Posaçme.  Ndërkohë që një tjetër provë e re materiale është publikuar së fundmi. Komandanti i Gardës Ndrea Prendi ka urdhëruar vrasjet, duke zgjedhur edhe vetë vrasësit. Madje duket qartë se ai është urdhëruesi. Berisha nuk e fshehu dot krimin. Kjo çështje duhet të kishte shkuar me kohë në SPAK. Prej 27 korrikut ka në fakt edhe një kërkesë procedurale nga pala e dëmtuar që e kërkon kalimin e dosjes në Prokurorinë e Posaçme”, tha Balla.

Balla gjithashtu kërkon që dosja e vrasjes së Aleks Nikës të shkojë në SPAK. Vrasja e Aleks Nikës edhe pas 12 vitesh ka mbetur ende pa autor.

“I kemi kërkuar Prokurorisë Tiranë të kalojë dosjen e vrasjes së Aleks Nikës në SPAK. Ne jemi në anën në drejtësi dhe presim të bëhet drejtësi”, tha Balla.

Balla ka bërë të ditur se PS do të bëjë një kallëzim tjetër penal në SPAK lidhur me hetimet për 21 Janarin.

“T’i japim fund pandëshkueshmërisë të atyre që u përfshinë në urdhrat e 21 janarit. Ekspertët e PS-së kanë filluar punën për hartimin e një kallëzimi tjetër penal drejtuar Prokurorisë së Posaçme”, tha Balla.

Në fund Balla kërkoi që të vendoset drejtësi për 4 jetët e humbura më 21 janar 2011 dhe familjarët e viktimave, ndërsa kërkoi nga SPAK që të mos hesht më, në një kohë që sipas tij, “Sali Berisha rreh gjoksin çdo ditë në media për autorësinë e vrasjeve”.

12 vite më parë, gjatë protestës së opozitës, asokohe Partia Socialiste, u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Veizit, Myrtajt dhe Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia, ndërsa u dënua ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardisti Agim Llupo me 3 vite. Ende pa autor mbetet vrasja e Aleks Nikës, pasi nuk është mundur të faktohet se nga cila armë është qëlluar predha që i mori jetën atij.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›