Përfundon në spital kryekomisari i arrestuar në Korçë për probleme në zemër
Ka përfunduar në Spitalin Kirurgjik, në reanimacion, shefi i komisariatit të Korçës, arrestuar një ditë më parë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në bashkëpunim me task-force të Prokurorisë së Rrethit.
Pas arrestimit kryekomisar Nikolin Thana ka kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të shqetësimeve kardiake. Ai u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 100 mijë lekësh si ryshfet. Bashke me të në kushtet e flagrances u arrestuan edhe Jetnor Hysenllari, punonjës i komunës Voskopojë, Arben Hasanllari, punonjës i policisë së komunës Voskopojë, si edhe shtetasi Hysni Myrtollari të cilët në këmbim të favoreve për të njëjtën çështje përfituan si mitmarrje shuma të ndryshme lekësh.
Pas arrestimit mësohet se kryekomisari ishte nën hetim prej disa muajsh nga SHKB pas sinjalizimeve se merrte ryshfet, kryesisht nga biznese të ndryshme për të lejuar kalimin e mjeteve të rënda, apo aktivitete të tjera.
Ryshfeti që e çoi në pranga ishte nga nje firmë lokale që merrej me grumbullim skrapi. Për të zgjidhur problemet që i dilnin rrugës, firma paguante dhe në rastin në fjalë i ka dhënë 100 mijë lekë ryshfet kryekomisarit. Burime pranë policisë thonë se janë dokumentuar edhe raste të tjera, të cilat janë me filmime dhe me fotografime. Pas sinjalizimeve edhe prokuroria nisi hetimin dhe në fund agjentët e shërbimit të Kontrollit të Brendshëm së bashku me prokurorinë finalizuan operacionin duke arrestuar në flagrancë kryekomisarin./TCH