Policia e Shtetit: Transporti i kutive të votimit përfundon pa probleme, masa sigurie në VNV-të ku numërohen votave në 5 bashki
Policia e Shtetit bëri të ditur se ka përmbyllur me sukses një fazë kyçe të procesit zgjedhor pas përfundimit të votimit: shoqërimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore në Vendet e Numërimit të Votave (VNV).
Në një njoftim zyrtar, u konfirmua se punonjësit e Policisë u angazhuan menjëherë pas kërkesave të Komisioneve të Qendrave të Votimit për të garantuar integritetin e kutive dhe materialeve.
Procesi i shoqërimit u fokusua në të 5 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet: Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik, Mat.
“Ky proces ka vijuar pa asnjë incident, deri në dorëzimin e plotë të materialeve pranë VNV-ve përkatëse,” deklaroi Policia.
Pas përfundimit të transportit, angazhimi i Policisë vijon me ruajtjen e VNV-ve. Sipas saj, janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar ruajtjen fizike të ambienteve të VNV-ve, ku po zhvillohet procesi i numërimit të votave.
Policia e Shtetit deklaroi se mbetet në gatishmëri të plotë dhe e angazhuar maksimalisht për të përmbushur detyrën e saj deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor, duke garantuar kështu një mjedis të sigurt për numërimin e votës.
/rtsh.al/