E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon orari i votimeve për 9 njësitë vendore

Ora 19:00, ka qenë afati i fundit zyrtar i procesit të votimit, i cili u zhvillua sot në 9 njësitë vendore. Kutitë me fletët e votimit tashmë transportohen për në KZAZ, ku do i nënshtrohen numërimit për të shpallur më pas fituesin.
 

Ditën e sotme procesi i votimit është zhvilluar në 9 njësi vendore, pasi në komunën e Shalës, nuk u votua ashtu sikurse ishte parashikuar. Në këtë komunë do të ketë sërish votime.
Procesi i votimit ka filluar në orën 07:00 të mëngjesit dhe është mbyllur zyrtarisht në orën 19:00.
Në 7 prej këtyre komunave, zgjedhjet u përsëritën për shkak të pavlefshmërisë së shpallur nga Kolegji Zgjedhor, kurse në 3 njësi të qeverisjes vendore, zgjedhjet nuk u zhvilluan fare më 8 maj.
Pothuajse në të gjithë vendin, procesi zgjedhor ka vijuar i qetë dhe pa asnjë incident.
 

Finiq
Një tjetër komunë ku është zhvilluar sot procesi i votimit ka qenë edhe ajo e Finiqit në Sarandë, ku u përballen për kryetar komune Ziso Mici nga partia “MEGA” dhe Sokrat Spiro nga “PBDNJ”. Procesi filloi normalisht në pjesën më të madhe të qendrave të votimit, por më pas u bllokua për 3 orë në qendrën e votimit 4628 në fshatin Vrion, ku u konstatua dëmtimi i vulës zgjedhore së qendrës së votimit. Me mbërritjen e vulës së re nga Tirana, procesi ka rifilluar normalisht.
 

Elbasan
Procesi zgjedhor ka vijuar i qetë dhe pa asnjë incident edhe në qarkun e Elbasanit, konkretisht në komunën Pishaj dhe Papër. Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve në këto dy komunave u bë një gabim në shtypjen e fletëv të votimit, ku emrat e kandidatëve ishin kryqëzuar me atë të koalicioneve kundërshtarë.
 

Mollas
Ndërkohë ditën e sotme drejt njësive të votimit janë drejtuar edhe banorët e komunës Mollas të Ersekës. Rreth 3 mijë votues janë drejtuar në kutitë e votimit, për të shprehur vullnetin e tyre në lidhje me zgjedhjen e këshillit të komunës. Procesi i votimit për këshilltarët e kësaj komune, ka nisur normalisht që prej orës 07:00 të mëngjesit. Kështu, banorët i janë drejtuar qendrave të votimit, ndërkohë që numri i tyre ka ardhur në rritje. Shkak i përsëritjes së zgjedhjeve ka qenë pikërisht një ngatërresë e fletëve të votimit të kësaj komune, në zgjedhjet e 8 Majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›