Gramsh, përfundon votimi në Komunën Pishaj

Në orën 19:00, ka përfunduar procesi i votimit në Komunën Pishaj të rrethit të Gramshit. Tashti kutitë me fletët e votimit transportohen për në KZAZ 15. Forcat e policisë kanë marrë pjesë në transportimin e kutive, për sigurinë e tyre.
Mësohet se pjesëmarrja në votimin për kryetarin e komunës dhe këshillin e komunës, ka qenë 50%. Votimi është përsëritur këtë të dielë, pasi në këtë njësi të qeverisjes vendore zgjedhjet nuk u zhvilluan fare në 8 maj.
Ditën e sotme, zgjedhjet janë zhvilluar në 9 njësi qëndrore, në komunën Pishaj dhe Papër të qarkut të Elbasanit, në komunën Mollas të qarkut të Korçës, në komunën Kolsh të qarkut të Lezhës, në komunën Armen dhe Finiq të qarkut të Vlorës, në komunën Qendër Skrapar të qarkut të Beratit dhe në komunën Zall Dardhë të qarkut të Dibrës.
Pothuajse në të gjithë vendin, procesi zgjedhor ka vijuar i qetë dhe pa asnjë incident. Vetëm në Komunën Shalë të Shkodrës, procesi zgjedhor ka dështuar pasi përfaqësuesit PS-së, nuk kanë pranuar zhvillimin e zgjedhjeve.