Përfundon takimi i opozitës, mungon Ceka
Tiranë- Tiranë- Ka përfunduar takimi i opozitës, mbledhur ne mesdite ne nje tryeze te perbashket, thirrur nga kreu i PS-se, Edi Rama.
Pavarësisht dallimeve që kanë shfaqur në vazhdimësi gjatë muajve të fundit, liderët e së majtës janë ulur sot në një tavolinë për të diskutuar mbi mundësitë e organizimit të opozitës për sfidat e ardhshme politike.
Të gjithë krerët e partive të majta, megjithëse jo zyrtarisht, janë përgjigjur publikisht pro pjesëmarrjes në takimin e inicuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.
Në këtë tryezë ka marrë pjesë edhe Lëvizja Socialiste Për Integrim, e cila duket se ka vendosur që të lere mënjanë luftën e ftohtë brenda kampit të majtë dhe ka vendosur ti bashkangjitet bllokut të partive të majta që pritet të jetë dhe bërthama e koalicionit të ardhshëm elektoral. Një fakt të tillë e konfirmoi dje kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili nga Peza ku ka marrë pjesë sëbashku me drejtuesit e tjerë opozitar, është shprehur i hapur për tu bërë pjesë e kësaj tryeze.
Edhe kryesia e kësaj partie mori mbrëmë në konsideratë shqetësimet e Kryetarit të PS-së, Edi Rama, të shprehura në letrën e dërguar, ku kërkohet që opozita të flasë me një zë të vetëm për sigurinë dhe drejtësinë e munguar ne vend. Megjithatë kryesia e LSI-së ka kërkuar mbrëmë që opozita të ndërpresë të gjithë veprimtarinë parlamentare por edhe institucionale me kryeministrin deri në dorëheqjen e këtij të fundit, kërkesë e cila nuk dihet se si do të pritet sot nga partitë e tjera të opozitës. Ndërkohë që nuk pritet asnjë surprizë nga dy partitë e tjera aleate PSD dhe PDS, të cilat pas takimit që zhvilluan para dy javësh me kreun e opozitës Edi Rama, kanë përcaktuar tashmë pozicionin pro bashkëpunimit me PS-në.
I vetmi që ka refuzuar ti bashkohet kësaj tavoline ka qenë kreu i PAD-së Neritan Ceka, i cili ka deklaruar dje se nuk do ti bashkohet përpjekjeve të opozitës për të mbrojtur standardet e sigurisë dhe rendit në vend.
Bashkohem me zotin Rama me të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit, tha kreu i PBDNJ-sw, Vangjel Dule pas takimit, në përgjigje të interesimit të gazetarëve. Forca jonë politike është për shtetin e së drejtës, vijoi ai, ndërsa nënvizoi se reforma zgjedhore ishte një nga pikat kyçe që u diskutua në këtë takim.
Ndërkohë, kreu i LSI-së, Meta deklaroi se bashkëpunimi me Partinë Socialiste do të jetë i fuqishëm, në rast se do të ketë vullnet të përbashkët për imponimin e dorëheqjes së Sali Berishës.
"Jemi 100 për qind të vendosur që prioriteti kryesor i opozitës që pas tragjedise së Gërdecit dhe pas vdekjes së dëshmitarit, Kosta Trebicka është investimi për të detyruar dorëheqjen e Berishës, për të çliruar drejtësinë nga presioni për të pasur hetime të sigurta dhe të pavarura për Gërdecin, që është kthyer në një test kryesor për të ardhmen e shtetit dhe integrimit në NATO dhe BE", u shpreh Meta.